Tiranë, 20 Maj 2010 NOA – Një ambasador i ri është zgjedhur nga Qipro për Shqipërinë. Ai është Josif Josif dhe ka dorëzuar kredencialet tek Presidenti i Republikës, Bamir Topi, bëjnë të ditur burime zyrtare nga Ministria e Jashtme e Qipros.
Presidenca nuk dha informacion mbi këtë takim. Ndërsa burimet zyrtare nga Qipro bëjnë të ditur se në takim janë diskutuar gjerësisht çështje që lidhen me të ardhmen e Shqipërisë në lëmin e integrimit në BE, ku Qipro është anëtare.
Ambasadori Josif, ka shprehur mbështetjen e qeverisë qipriote për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e integrimit.
Në bisedë, është rrahur dhe çështja e problemit që Qipro ka me dy popujt, atë turk dhe atë grek. Ndaj ambasadori i Qipros informoi Topin, mbi zhvillimet e fundit në Qipro dhe fazën e tanishme të bisedimeve.
“Presidenti shqiptar shprehu shpresën se Qipro së shpejti do të gjejë një zgjidhje që do të rezultojë në përputhje me vullnetin dhe pëlqimin e të dy komuniteteve”, - citohet Topi nga Ministria e Jashtme e Qipros.
Mësohet se ambasadori i ri i Qipros për Shqipërinë, do ta ketë selinë në Athinë.
r.n/NOA