English

Operacioni “Cocteil”, zbulohet fabrikë pijesh që rrezikon jetën e konsumatorëve

Këto prodhime industriale, të cilat tregtoheshin në Tiranë, duke qenë të palicensuara ishin edhe të pakontrolluara, duke vendosur në rrezik shëndetin dhe jetën e konsumatorëve

Tiranë, 21 Maj 2010 NOA - Në kuadër të operacionit policor të koduar “Cockteil” i realizuar me sukses nga Seksioni Kundër Krimit Ekonomik e Financiar të Policisë së Tiranës, arrestuan sot në flagrancë dy persona si dhe ndoqën në hetim të lirë pesë të tjerë, të dyshuar si të implikuar për veprat penale të “Prodhimit të kundraligjshëm i artikujve industrial dhe ushqimorë”.

Të arrestuarit janë Vasil Zhupa, 46 vjeç dhe Rajmonda Neziri, 41 vjeç, lindur e banuese në Tiranë. Ata u kapën gjatë momenteve të prodhimit dhe të tregtimit të produkteve të falsifikuara, në një magazinë të ndodhur në Shkozë në Tiranë.

Specialistët e Seksioni Kundër Krimit Ekonomik e Financiar i thanë agjencisë NOA se pas një hetimi intensiv 9 mujor kanë bërë të mundur dokumentimin e veprimtarisë së kundraligjshme të aktivitetit të tyre.

Ky aktivitet, kishte të instaluar një linjë prodhimi, stampimi dhe tregtimi të artikujve industrial të paligjshëm, të cilat ishin të palicensuar duke vendosur etiketat të pamiratuara nga Ministria e Bujqësisë Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.

Dyshohet se këto prodhues mashtrues, aktivitetin e tyre e ushtronin në mënyrë të palicensuar dhe të paregjistruar në organet tatimore, duke ju shmangur kështu detyrimeve tatimore.

Këto prodhime industriale, të cilat tregtoheshin në Tiranë, duke qenë të palicensuara ishin edhe të pakontrolluara, duke vendosur në rrezik shëndetin dhe jetën e konsumatorëve.

Njëkohësisht, ky subjekt privat i palicencuar, këto prodhime i regëtonte nën çmimin e kostos së prodhimit, me synim shmangien e konkurrencës së subjekteve të tjera private, të cilat ishin të licencuara.

Nga hetimet e kryera, rezultoi se këto mashtrues, për ushtrimin e këtij aktiviteti, kishin të punësuar edhe 7 persona, të cilët ishin pa kontrata pune dhe të padeklaruar.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua linja e prodhimit dhe makineritë që shërbenin për prodhimit e mallrave industrial, si:

Rreth 250 arka Shishe me lëngje frutash të ndryshme, të gatshme për t’u tregtuar.

10 copë makineri të cilat shërbenin për prodhimin, ambalazhimin, etiketimin e lëngjeve të frutave, aperitiv etj.

Rreth 20 mijë shishe të ndryshme, që shërbenin për mbushjen dhe tregtimin e tyre.

100 000 etika dhe stampa të ndryshme.

U konkludua se, vlera e të gjithë mallrave të sekuestruara arrijnë në masën e 500 mijë euro.

Policia e Tiranës tha se aktualisht po punohet intensivisht për sekuestrimin e të gjithë mallrave, të cilat janë shpërndarë dhe tregtuar nga ky subjekt, në dyqane të ndryshme në Tiranë.

Po ashtu, strukturat e janë të vendosur për të vazhduar më tej këtë operacioni, deri në eliminimin plotësisht të kësaj veprimtarie të kundraligjshme, e cila rrezikon në shëndetin dhe jetën e konsumatorëve, vendosjen përpara përgjegjësisë ligjore, të personave që ushtrojnë këtë veprimtari.

r.n/NOA

KOMENTE