Tiranë, 21 maj, NOA /Milena Selimi - Festivali tashmë i konsoliduar i muzikës bashkëkohore të këngës “Top Fest 7”, organizuar nga Top Channel dhe ku konkurrojnë këngëtarë e grupe nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e diaspora, do të zhvillojë natën finale pasnesër në Pallatin e Kongreseve.
Mësohet se atje ku do të këndohet live nga konkurrentët pjesëmarrës, ndërsa prezantuesit e këtij spektakli do të jenë Albana Osmani dhe Ledion Liço.
“Është shndërruar tani në një prej traditave më të bukura të muzikës shqiptare. Pasi janë kapur të njëjtat standarde me evenimente të tilla që ndodhin në botë. Edhe këtë edicion, si ato të mëparshmet, kemi këngë të bukura”, është shprehur Osmani.
“Top Fest” këtë vit vjen me risi të rëndësishme, përsa i përket performancës së pjesëmarrësve.
Në fazën e dytë dhe natën finale, këngëtarët do të këndojnë “live”.
“Top Fest” ka kaluar nëpër tri faza. Në fazën e parë kanë konkurruar 120 këngë, interpretuar me ‘playback’, ndërsa faza e dytë përzgjodhi gjysmat e këtyre këngëve.
“Teknologjia e realizimit për këtë eveniment është ajo më e fundit. Gjithçka do të regjistrohet në HD”, - shprehet regjisori Ergys Lubonja.
Në natën finale do të ndahen çmimet për kategori të ndryshme.
Çmimi i madh do të jetë 2 milion lekë, ndërsa priten edhe shumë çmime të tjera në kategori të ndryshme.
m.s/n.e/NOA