English

Pohimi i Olldashit: Incidenti në tunel na kushtoi 30 milionë euro

Kukës, 21 Maj 2010 NOA – Incidenti që ndodhi te galeria Jugore e tunelit të Thirrës, në segmentin Rrëshen –Kalimash, ka kushtuar plot 30 milionë euro. Pohimi është bërë sot nga Ministri i Transporteve Sokol Olldashi në ceremoninë e çeljes së dytë të tunelit që tashmë është vënë në shfrytëzim të plotë për mjetet, në një prej drejtimeve të tij, me dy sense kalimi.

Tuneli i Thirrës ka një një gjatësi 5.6 km. Të gjitha punimet për realizimin e tij janë brënda të gjithë standarteve europiane. Punimet elektromekanike dhe të sistemeve të kontrollit të trafikut janë instaluar dhe integruar plotësisht në një sistem të kontrollit qendror që përfshin 26 ventilatorë të mëdhenj ajrimi, 71 kamera CCTV, sinjalistikën e mesazheve variabël elektronik, një sistem kundër zjarrit në të gjithë tunelin, lokalizimin në mënyrë automatike të tymit dhe gazrave dhe zbulimin e incidentit, një sistem telefonik në rast emergjence, komunikimin me radio, si dhe ndriçimin normal dhe atë të sigurisë.

Në studimet e fizibilitetit të kryera përpara se rruga të ndërtohej parashikohej një trafik prej 4 mijë mjete në ditë, ndërkohë që vjet arriti kulmin me 12 mijë mjete në ditë. Pritshmëria e trafikut për sivjet është 16 mijë mjete në ditë.

Në fjalën e tij, ministri Olldashi u shpreh se “sot është një ditë shumë e mirë, duke qenë bashkë me pothuajse të gjithë përfaqësuesit e medias të Shqipërisë, po e di që ka shumë e nga Kosova që kanë ardhur në hapjen e Galerisë Jugore të tunelit të Thirrës dhe në vënie në shfrytëzim përsëri të të gjithë segmentit rrugor të Korridorit Milot-Morinë që tani ka filluar të vazhdojë dhe nga Morina drejt Prishtinës dhe Mërdarit”.

Kurse më tej pohoi se “fatkeqësia natyrore e 5 Nëntorit” që ishte shembje në tunel, kushtoi plot 30 milionë euro.

r.n/NOA

KOMENTE