English

Policia Forcon Masat Për Rritjen E Sigurisë Në Rrugë

TIRANË, 21 Maj/ATSH/- Rreth 600 masa administrative për mosrespektim të normave të qarkullimit rrugor kanë dhënë në 24 orët e fundit shërbimet e Policisë Rrugore në Tiranë për drejtuesit e mjeteve. Përmes një deklarate për mediat, Policia e Qarkut konfirmoi se do të vazhdojë me intensitet punën për parandalimin e aksidenteve në rrugë, krahas krijimit të lehtësirave për lëvizjen e lirë të mjeteve, në përputhje me legjislacionin rrugor. Kontrollet e shërbimeve të Policisë Rrugore janë përqëndruar në vendosjen e rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkolit nga drejtuesit e mjeteve, parkimet e gabuara, apo parkimet dyshe në akset e qytetit të Tiranës. Policia u bën apel drejtuesve të automjeteve të zbatojnë me përpikmëri normat dhe rregullat e Kodit Rrugor, duke lajmëruar masa të ashpra për të gjithë kundravajtësit. Sipas të dhënave zyrtare, vetëm në 24 orët e fundit u vendosën rreth 600 gjoba për kundravajtje të ndryshme rrugore dhe u pezulluan 10 leje për drejtim mjetesh./a.m//n.m/
KOMENTE