English

Prifti: Qeveria, 10 milionë euro për bizneset që gjenerojnë punësim

Shkodër, 21 Maj 2010 NOA - Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Dritan Prifti ishte sot në Shkodër, ku vizitoi disa kompani prodhuese tekstilesh dhe u njoh nga afër me ecurinë e biznesit të tyre, si dhe problematikën që shoqëron këto kompani në ushtrimin e aktivitetit ekonomik.

Prifti vizitoi kompanitë Moda Teli sh.p.k, Calzaturifici O Adelchi, dhe kompaninë Bertoni, e cila është një kompani prodhuese e këpucëve. Gjatë vizitës, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës u interesua personalisht për problematikën që paraqet secila prej kompanive në aktivitetin ekonomik që ato ushtrojnë, si dhe u njoh me sugjerimet përkatëse të tyre, mbi atë se çfarë mund të bëjë më shumë qeveria për të mbështetur këto biznese, të cilat janë një burim i madh për punësimin në vendin tonë.

Në fjalën e mbajtur për mediat gjatë vizitës në kompanitë e sipër përmendura, ministri z. Dritan Prifti shprehu gatishmërinë e qeverisë për të mbështetur këto lloj biznesesh në punën e tyre, duke qenë se këto biznese shihen nga ana e qeverisë si rruga më e mirë për të pasur një impakt më të shpejtë për rritjen e punësimit në vend.

“Kam ardhur që të konsultohem me sipërmarrësit e këtyre bizneseve. Kam ardhur për të takuar punonjësit, për të dëgjuar më shumë problematikën që kanë në punën e tyre të përditshme. Kam ardhur dhe me porosi të kryeministrit, sepse këto lloj biznesesh ne si qeveri i shohim si rrugën më të mirë për të pasur impakt më të shpejtë në rritjen e punësimit në vend. Nëse do të kemi mundësi të mbështesim më shumë këto lloj biznesesh, për të investuar më shumë, për të zgjeruar aktivitetet e tyre, për të punësuar më shumë, atëherë kjo mund të jetë, në një periudhë krize globale, një nga mënyrat më të mira për të rritur punësimin në vend. Kam ardhur që të konsultohem me sipërmarrësit, për të dëgjuar problematikën e tyre të përditshme, sugjerimet e tyre, se si mund të bashkëpunojmë më shumë me ministrinë e Ekonomisë, qeverinë, se ç’mund të bëjmë ne më shumë për ata në mënyrë që procesi të jetë përfitues për të dy palët, përfitues për qeverinë duke garantuar më shumë punësim, përfitues dhe për sipërmarrësit, duke siguruar më shumë më shumë fitime dhe lehtësira në punën e tyre”, u shpreh ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.

Prifti theksoi faktin se, qeveria e ka një ndër prioritetet kryesore rritjen e punësimit në vend dhe u shpreh se, nëpërmjet mbështetjes së bizneseve të kësaj natyre mund të gjenerohet, në një periudhë afatshkurtër, më shumë punësim për shqiptarët.

Pikërisht për mbështetjen e këtyre bizneseve që prodhojnë punësim, tha ministri, qeveria ka në dispozicion këtë vit një fond prej 10 milionë euro. Ky fond, u shpreh ministri i Ekonomisë, do të përdoret në formën e kredive të buta për biznesin dhe qeveria synon dy apo trefishimin e tij në vitet e ardhshme.

“Ne kemi një fond prej të paktën 10 milionë euro këtë vit për ta përdorur për këto lloj biznesesh, për kredi të buta, kredi që nuk shkojnë më shumë se sa katër apo pesë për qind interes vjetor, sa gjysma e interesit që mund të ofrojnë bankat. Pra, për të mbështetur bizneset që gjenerojnë punësim janë 10 milionë euro. Vitin e kaluar ishin pesë. Fondi është dyfishuar. Shpresojmë që vitet e ardhshme këtë fond ta dy apo trefishojmë. Është një fond, për të cilin i bëj thirrje bizneseve që shpenzojnë për teknologji, shpenzojnë për makineri e pajisje, dhe që gjenerojnë punësim, që të drejtohen pranë ministrisë së Ekonomisë për t’u mbështetur me financime”, tha z. Prifti.

Duke folur për objektivat e qeverisë, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës u ndal në raportin mes shkollave të mesme të përgjithshme dhe atyre profesionale. Duke qenë se ky raport sot është në favor të shkollave të mesme të përgjithshme, ministri z. Prifti tha se qeveria synon që ta ulë këtë raport dhe shprehu bindjen se një gjë e tillë është edhe në interes të sipërmarrësve, pasi ata kanë nevojë që punonjësit të jenë të kualifikuar dhe profesionistë. “Këtë vit ne kemi edhe një objektiv tjetër, objektivin për të ndryshuar raportin mes shkollave të mesme të përgjithshme dhe shkollave të mesme profesionale. Raporti është pothuajse 80 me 20, në favor të shkollave të përgjithshme. Ne kemi vendosur që të financojmë, të shpenzojmë më shumë në shkollat profesionale, për të cilat kam bindjen se sipërmarrësit e kësaj natyre ku jemi sot kanë shumë nevojë, që krahu i punë të jetë i arsimuar, i mësuar me zanate të ndryshme. Kemi si synim që raportin, në dy tre vjet, ta kalojmë në 60 me 40, pra të kemi një dyfishim të shkollave profesionale në krahasim me nivelin që kemi sot”, përfundoi fjalën e tij z. Dritan Prifti.

r.d/r.n/NOA

KOMENTE