Rama:Kemi Vullnet Për Zgjidhjen E Situatës, Pa Hequr Dorë Nga Transparenca
TIRANË, 21 Maj/ATSH, Anila Struga/- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, pas takimit të zhvilluar mbrëmë në Strasburg me kryeministrin Sali Berisha dhe autoritete të larta të Parlamentit Europian, shprehu vullnetin e opozitës për zgjidhjen e situatës, pa hequr dorë nga transparenca e zgjedhjeve.
"Dua të rinënvizoj vullnetin tonë për të gjetur rrugën e zgjidhjes, pa hequr dorë nga transparenca dhe nga krijimi i të gjitha mundësive, që përmes transparencës, të garantojmë liritë dhe të drejtat e qytetarëve në një demokraci që i ka rrënjët tek kutitë e votimit. Qëndrimi ynë është ky që nënvizon vullnetin më të madh për t'i çuar gjërat përpara, në interes të publikut", u shpreh Rama, pas takimit, që zgjati deri në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Ky takim u ndërmjetësua nga drejtuesit e dy grupimeve kryesore politike në Parlamentin Europian dhe në prani të komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fule.
Kryetari i PS-së vuri në dukje angazhimin shumë serioz dhe vëmendjen e posaçme të Parlamentit Europian dhe të Komisionit Europian ndaj situatës në Shqipëri, përfshirë dhe SHBA-në, që janë shprehur publikisht për nevojën e zgjidhjes.
"Ne kemi detyrimin të gjejmë zgjidhjen dhe në këtë proces, sot jemi më të ndihmuar se asnjëherë më parë nga një komunitet i tërë ndërkombëtar, i angazhuar në nivelet e veta më të larta, për të mundësuar nxjerrjen e vendit nga kjo krizë e thellë institucionale, që po krijon probleme serioze për Shqipërinë", u shpreh kreu i PS-së./n.m/