English

Rasmussen në Kosovë: Reduktimet e KFOR-it, sipas sigurisë

Prishtinë, 21 maj, NOA – Reduktimi i forcave ushtarake të KFOR-it në Kosovë do të bëhet në përputhje me nivelin e sigurisë që do të ofrojë ky vend.

Një fakt të tillë e ka bërë me dije sekretari i përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut të Veriut, Anders Fog Rasmussen, gjatë një vizite zyrtare që është duke zhvilluar në Prishtinë.

Ai tha se nëse situata e sigurisë është e mirë, në Kosovë mund të qëndrojnë edhe 5 mijë e 700 ushtarë.

“Kemi realizuar hapin e parë, duke shkurtuar numrin e ushtarëve në 10 mijë. Hapi i dytë do të jetë shkurtimi në 5 mijë e 700 trupa, ndërsa hapi i tretë parasheh reduktimin deri në 2 mijë ushtarë. Por, dua të nënvizoj se ne ende nuk kemi vendosur që të kalojmë në hapat dy dhe tre”, tha lidhur me një fakt të tillë, Rasmussen.

Ndërkaq, në fjalën e tij të rastit, ai mbështeti aksionin e vazhdimit të hetimeve nga EULEX-i ndaj rasteve të dyshuara për korrupsion në Kosovë.

“Mendoj se hetimet duhet të vazhdojnë. Duhet të jemi të sigurt se këto aktivitete janë të bazuara në sundimin e ligjit. Njerëzit që shkelin ligjin duhet të dalin para drejtësisë”, mësohet të jetë shprehur Ramussen për këtë.

n.e/NOA

KOMENTE