Reportazh/ Gjirokastër: Maturantët Festojnë Zilen E Fundit
GJIROKASTËR, 21 Maj/ATSH-Telnis Skuqi/ - Mikel Kore, një nga 700 maturantët gjirokastritë, ka dëgjuar sot zilen e fundit të mësimit në gjimnaz dhe gëzimin e tij e ka bërë pjesë të qytetit.
"Është një ditë e veçantë dhe e paharrueshme për mua", shprehet Kore.
Ai thotë se në një mjedis festiv, matura 2006-2010 i kanë dhënë lamtumirën mësuesve dhe bankave të shkollës, ku kaluan 4 vite të moshës më të bukur.
"Sot është dita ime, pasi në fillim të javës nis sezoni i provimeve të maturës", pohon Kore.
Në gjimnazin "Asim Zeneli" të Gjirokastrës maturantët kishin organizuar një ceremoni mbresëlënese.
Një çarçaf gjigant, me emrat e nxënësve të 6 klasave të katërta, në qendër simboli kombëtar, kish mbuluar pothuajse gjithë fasadën kryesore të godinës së gjimnazit.
Gjimnazistët i kanë lenë njëri-tjetrit bluzën e stampuar enkas për këtë festë, me autografin tipik, urimin e zemrës për suksese në provimet e maturës.
Më pas klasat kanë parakaluar në lagjen "18 shtatori", duke përshëndetur secili në mënyrën e tij, stafin pedagogjik, por edhe vetë bashkëmoshatarët e tyre.
Albana Zhulla, maturante e shkëlqyer në gjimnazin "Siri Shapllo", pohon se ka dëshirë të ndjekë studimet e larta në degën e gazetarisë.
"Sivjet kam zgjedhur shumë degë, por unë do ta quaja veten me fat po fitova degën e gazetarisë", shprehet Zhulla.
Ajo shpreson se të drejtën e studimit do ta fitojë qysh në fazën e parë, pasi sipas saj, ka investuar shumë për cilësinë e rezultateve.
Altin Demiri, shef i qarkullimit rrugor në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, thotë se policia lokale mori një masa për të parandaluar ndonjë aksident nga të rinjtë që mbushën rrugët e qytetit./ch/