Reportazh/ Kukës: Hapja E Tunelit Të Thirrës, Lëvizje E Shpejtë Dhe Entusiazëm
KUKËS, 21 maj/ATSH-R.Hoxha/ - Kuksianët u derdhën të premten, me gjithfarëlloj makinash, drejt tunelit të Kalimashit, për të qenë dëshmitarë të rihapjes së tij.
Prej 3 ditësh, thuajse asnjë mjet nuk ka lëvizur nga Kukësi drejt Tiranës, njerëzit kanë pritur hapjen e tunelit, për të udhëtuar nga rruga e shkurtër.
"Shyqyr që u hap tuneli, se mbetëm pa punë",- thotë shoferi Ylber Selami, ndërsa thërret në mëngjes pasagjerët.
"Hadeni të nisemi e të zëmë radhë se sot radha te tuneli do të jetë si radha e qumështit dikur",- u drejtohet Ylberi pasagjerëve.
Kosovarët nuk e shikojnë rrugën vetëm në sensin praktik.
"Ky është bashkimi i vërtetë i shqiptarëve", - thotë Feim Kurhasani, kryeredaktor i radio Dugagjinit të Pejës. "Rruga është bashkim i vërtetë i shqiptarëve",- këmbëngul ai.
Të njëjtën gjë thuajse e përsërit edhe Jaki Vehapi, redaktor te radio Gjakova. "Kemi ardhur se, kjo është një histori e veçantë, tani mund të themi se nuk ndahemi më",- thotë Jakiu.
Dy gazetarët nuk rreshtin së treguari çfarë ndodh në momentet e para të kalimit të tunelit jugor, duke lëvizur me automjete në të dy anët e tunelit.
Edhe pse nuk ka ndonjë ceremoni të veçantë, pranë tunelit janë qindra makina që presin të kalojnë. Të vendosur në radhë, si rallë herë janë të bindur. Dhe sapo jepet sinjali i lëvizjes, pa prishur radhën, nisin e brohorasin të gjithë. Është një kor zërash që rallë është ndeshur në zonën verilindore.
Një vit më parë u përurua tuneli verior, por që u mbyll më 5 tetor. Ndërsa tani edhe pse nuk ka prerje shiriti, tuneli i jugut nuk do të mbyllet më (vetëm në raste të jashtëzakonshme). Ai e ka ujin, telefonin, ndriçimin e të gjithë aksesorët e tjerë.
Brenda dy orëve të para kanë lëvizur në tunnel mbi 1800 automjete të llojeve të ndryshme. Mes tyre janë mbi 80 trajla, mbi 20 autobuzë me pasagjerë, ndërsa furgonët e taksitë vështirë t'i numërosh.
Punonjësit e stacionit të policisë megjithë fluksin e madh kanë gjetur mirëkuptimin e udhëtarëve. "Janë orët e para, pasi në ditët e tjera situata do të normalizohet, për sot jemi përgatitur",- thotë Dritani, njëri prej punonjësve të policisë. Dritani thotë se lëvizja e mjeteve edhe pse në njërin prej dy tuneleve do të jetë pa ndërprerje gjatë 24 orëve. Kjo do të thotë se që nga dita e nesërme nuk do të ketë më radhë. Edhe pse sot radha është e gjatë. Ashtu siç ndodh në ditën e parë.
Spektakël makinash
Sot te tuneli është kryer edhe spektakël makinash. Se jo pak kuksinaë e prizrenas kanë dashur të jenë pjesëmarrës në përurimin e tunelit jugor. "Kam ardhur thjesh të kaloj në të dy anët e tunelit, e të kthehem në shtëpi",- thotë Selman Rexhepi nga Prizreni.
Si Selmani janë të shumtë kuksianët. Disa kalojnë tunelin e rikthehen sërish. Disa vazhdojnë udhëtimin më tej.
"Po shkojmë të pimë një kafe të ura e Fanit e kthehemi sërish",- thotë Fatjon Hoxha. Fatjoni thotë se, deri te ura e Fanit, nga Kukësi rruga zgjat mbi 5 orë, ndërsa përmes tunelit zgjat sa të pish një kafe."
Tregimi i Shefqetit nga Saranda
Në radhë pret edhe Shefqeti, rreth 70 vjeç, nga Saranda.
"Kam qenë i ftuar të dielën në dasëm në Ponoshoc, por i lajmërova t'i vizitoj një ditë më vonë, pasi është hera parë që kaloj këtej. Më kanë thënë se është tmerr të lëviz nëpër qafë Mali", - thotë Shefqeti.
Shefqeti tregon se ka qenë I ftuar te Islam Sulmataj në Ponoshec, i cili 11 parë Islami ka qëndruar një muaj në shtëpinë e tij, pasi kosovarët u përzunë prej shtëpive të tyre nga forcat serbe.
"Islami vjen çdo verë te ne në gusht, edhe mua më kanë ftuar sa herë, por rruga është e gjatë e jam i vjetër. U nisa sot se më thanë se shkoj në Ponoshec për 3 orë",- tregon Shefqeti.
Xha Shefqeti nuk do ta pyesësh vetëm për një gjë, për historitë që i ka rrëfyer Islami 11 vjet më parë.
"Ato tregime mos i ndodhshin kujt në derë të shtëpisë",- thotë xha Shefqeti./ch/