English

Rreth 100 Specialistë Çertifikohen "Menaxherë Të Shërbimeve Shëndetësore"

TIRANË, 21 Maj/ATSH-Eriola Çuko/ - Rreth 100 drejtues të institucioneve shëndetësore dhe specialistë të fushës u çertifikuan sot si menaxherë të shërbimeve shëndetësore. Universiteti "Zoja e Këshillit të Mirë" në bashkepunim me ministritë e Shëndetësisë, Arsimit, të Punëve të Jashtme të Italisë dhe rajonin e Toskanës (Itali), organizuan sot ceremoninë për dhënien e çertifikatave të Kursit të Kualifikimit "Menaxhimi i Institucioneve dhe Shërbimeve Shëndetësore". Ky kurs u ofron pjesëmarrësve formatin e duhur për zgjidhjet organizative, mirëmenaxhuese dhe kontrrollin e shërbimeve shëndetësore. Kryetari i Komisionit Parlamentar për Shëndetësinë, Tritan Shehu tha se zhvillimi i këtij kursi është një hap cilësor në drejtimin e duhur, sa i takon reformës në shëndetësi. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, vlerësoi se "çdo hap që hedhim në të kuptuarit më mirë të elementëve menaxherialë të sistemit shëndetësor, është hap drejt një shëndetësie më të mirë", që sipas tij, është mjekësia bashkëkohore, që nuk ka të bëjë me atë empirike. "Ne duhet të largohemi nga ideja për një mjekësi ideale dhe të orientohemi drejt një mjekësie që realizohet në mënyrë praktike dhe ku çdo projekt që ne zhvillojmë e çon shëndetësinë në përgjithësi dhe degë të mjekësisë gjithnjë e më përpara", tha Vasili. Kursi që u ofron përgjegjësve të strukturave spitalore, formatin e duhur për zgjidhjet organizative, mirëmenaxhuese dhe kontrollin e sistemit sanitar e spitalor, është pjesë e Marrëveshjes së Bashkëpunimit Shkencor dhe Teknologjik midis Shqipërisë dhe Italisë./n.m/
KOMENTE