Tiranë, 21 maj, NOA /Milena Selimi - Një shfaqje teatrore me artistë ndërkombëtarë. Për të dytën herë, vjen në Shqipëri regjisori Stefan Neugebauer, i cili do të prezantohet me pjesën teatrore “Voyezeck” të autorit Georg Büchner.
Premiera e shfaqjes do të jetë më datën 27 maj në Akademinë e Arteve, për të vazhduar në netët në vazhdim në datat 29 dhe të dielën 30 maj në Tiranë.
Ngjarjet në pjesën teatrore "Voyzeck" të Georg Büchner zhvillohen në gjysmën e parë të shekullit të 19-të në Gjermani.
Regjisori gjerman nga Berlini Stefan Neugebauer, në inskenimin e tij e zhvendos pjesën teatrore në Shqipërinë e sotme, me personazhin kryesor, Voyzeck, i cili është një i ri shqiptar, një mjeshtër mbijetese që e mban veten dhe familjen e tij duke bërë punë të ndryshme në një kazermë ushtarake.
Ai e siguron jetesën duke punuar si një ushtar i thjeshtë, rruan një kapiten italian dhe vihet në dispozicion të një mjeku francez për eksperimente mjekësore.
Ai përpiqet të bëjë më të mirën. Ai e do jetën, gruan e tij dhe fëmijën e paligjshëm që kanë bashkë.
Por kur një major nga Gjermania viziton kazermën, bota e Voyzeck del jashtë kontrollit. Maria mahnitet menjëherë pas majorit gjerman.
Ai mishëron burrërinë, pavarësinë dhe statusin e lartë shoqëror, atë çka Voyzeck nuk mund të ofrojë.
Kush mund ta fajësojë Marien nëse bie në dashuri me majorin? Majori kërkon vetëm një aventurë për të ëmbëlsuar qëndrimin e tij zyrtar në Shqipëri, para se të vazhdojë turin e tij në Ballkan.
Voyzeck-ut i duhet të përjetojë, se si Maria dëfrehet duke kërcyer me majorin. Dhe kur ai vjen natën vonë në shtëpi, majori është tashmë me Marien në dhomën e gjumit ... Voyzeck humbet kontrollin. Mos duhet vallë të vrasë Marien? Të vrasë veten? Apo duhet të vrasë majorin? Si mund të vazhdojë të jetojë? Me lekët e fundit që i kanë mbetur ai blen një thikë dhe vret Marien. Përlyer në gjak ai kthehet në kazermë. Kur të tjerët kthehen e shohin gjakun, kuptojnë se çfarë ka ndodhur ...
m.s/n.e/NOA