Sport-Merkato/ Bolonja Pranë Sulmuesit Shqiptar Erjon Bogdani
TIRANË, 21 Maj /ATSH-Gjergji Mima/. - Largimi i sulmuesit të kombëtares shqiptare, Erjon Bogdani, nga Chievo Verona duket tashmë i sigurtë. Ai pothuaj nuk u aktivizua fare në pjesën e dytë të sezonit dhe me shumë mundësi do të ndërrojë skuader për sezonin e ardhshëm, pasi në qershor i skadon edhe kontrata me klubin aktual.
Pikërisht skadimi i kontratës së tij është një nga arsyet qe ai konsiderohet si një opsion i mundshëm për sulmin nga drejtuesit e një tjetër skuadre në Seria A, Bolonja FC.
Bolonja u rendit në vend të 17-të në fund të sezonit që sapo u mbyll, duke qenë skuadra e fundit që i shpëtoi rënies nga elita e futbollit italian. Edhe sezonin e kaluar, Bolonja vuajti për të mbijetuar në Seria A, duke siguruar qëndrimin vetëm në ndeshjen e fundit.
Bolonja po kërkon lojtarë për të përforcuar organikën, pasi pritet të ketë ndryshime të konsiderueshme. Por, duke parë se financiarisht ata nuk janë shumë të fuqishem, po kërkojnë për lojtarë që mund t'i marrin falas, pra lojtarë qe u skadon kontrata gjatë kësaj vere.
Bogdani përmendet si një nga sulmuesit me peshë që mund të afrohet pa paguar për transfertën. Ai shihet si një lojtar që mund të bindet më lehtë për të veshur fanellen e Bolonjes sesa disa nga emrat e tjerë që vështire se do të pranojnë të shkojne te një skuader që lufton për mbijetesë. Bëhet fjalë për Filippo Inzaghi të Milanit, Giuseppe Sculli të Genoa apo Julio Cruz të Lazios.
Këtë sezon Bogdani shënoi vetëm dy gola në Seria A në 21 ndeshje dhe një gol në Kupën e Italisë në 2 ndeshje. /a.ke/