English

Takimi Në Strasburg-Berisha: Spikati Vendosmëria Për Respektimin E Kushtetutës Dhe Vendimeve Të Gjykatave

- Kryeministri Berisha informon mediat në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, pas kthimit nga Strasburgu - TIRANË, 21 Maj/ATSH/.- Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot, pas kthimit nga Strasburgu, se "tek të pranishmit në darkën e djeshme spikati qartësisht vendosmëria për respektimin e plotë të Kushtetutës, kuadrit ligjor dhe vendimeve të gjykatave për zgjidhjen e situatës politike në Shqipëri". Duke i'u përgjigjur interesimit të medias menjëherë sapo mbërriti në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, Kreu i Qeverisë e cilësoi darkën e djeshme në Strasburg si "një nga darkat më të shijshme dhe më të këndshme", ndërsa theksoi se "e do shumë Strasburgun sepse është një qytet me histori frymëzuese". "Kjo nuk ishte një darkë ahengu, por ishte një darkë pune", tha Kryeministri Berisha. Ai theksoi se "të gjitha diskutimet ishin në sintoni me qëndrimet e mëparshme si të Komitetit Presidencial dhe Byrosë Parlamentare të Këshillit të Europës, ashtu edhe me deklaratat e përsëritura të Brukselit". Me ftesë të z. Joseph Doul, Kryetar i Grupit të Partive Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian dhe të z.Martin Schulz, Kryetar i Grupit të Partive Socialiste Europiane në Parlamentin Evropian, Kryeministri Berisha dhe Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, morën pjesë dje në mbrëmje në një darkë pune, në Strasburg, ku u diskutua gjerësisht mbi rrugët dhe mënyrat për t'i dhënë fund ngërçit politik në Shqipëri. /f.n/m.m/
KOMENTE