English

Vlorë, Kompania Eagle Mobile Dhe Ministria E Mjedisit, Bashkë Për Një Mjedis Të Pastër

VLORË, 21 Maj/ATSH-H.Koçi/.- Ministria e Mjedisit dhe Drejtoria Arsimore Rajonale, në bashkëpunim me Kompanine celulare Eage Mobile zhvilluan sot një aksion sensibilizues për pastrimin e disa rrugëve dhe pjesëve të bregdetit në qytetin e Vlorës. Ky aktivitet, që përkon edhe me Ditën Ndërkombëtare të Turizmit, ka ardhur pas disa veprimtarive të ngjashme të zhvilluara në qytete të ndryshme të vendit. Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, përfaqësues të kompanisë celulare EAGLE MOBILE, janë shprehur se "në Vlorë kanë ardhur pasi kanë kryer aksionin e tyre për pastrimin e disa qyteteve ditë më parë". Sipas tyre, aksioni po vazhdon i suksesshëm, falë bashkpunimit të frytshëm me Ministrinë e Mjedisit dhe drejtoritë rajonale të arsimit. Drita Bonati, përfaqësuese e kompanisë, falenderoi nxënësit e shkollave të mesme të qyteteve ku është zhvilluar më parë kjo veprimtari. Sipas saj, këto organizime kanë rezultuar të suksesshme, sepse përveçse janë pastruar mjaft hapësira, janë sensibilizuar edhe grupe të ndryshme të popullsisë. Nga ana e tij ministri Fatmir Mediu u shpreh se bashkëpunimi i frutshëm me kompaninë EAGLE MOBILE do të shtrihet edhe në qytete të tjera. "Qëllimi i këtyre aksioneve është jo vetëm pastrimi i qyteteve dhe plazheve, por edhe sensibilizimi dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve për të mbajtur pastër mjediset ku jetojnë dhe plazhet ku pushojnë", nënvizoi Mediu. Në aksionin e sotëm, që nisi nga shkolla e mesme e përgjithshme "Ali Demi" dhe u shtri në disa zona dhe plazhe, morën pjesë rreth 400 vullnetarë, nxënës të shkollave të mesme të qyteteve të ndryshme. Pas Vlorës, aksioni do të zhvendoset në ditët në vazhdim në qytetet e Tiranës, Korçës dhe Pogradecit./s.s./
KOMENTE