Zyrtarë Të Lartë Të Be-Së: Nga Shqipëria Kërkohet Gjetja E Një Zgjidhje Të Shpejtë E Të Qëndrueshme
- Deklaratë e përbashkët e Komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fule dhe shefes së Politikës së Jashtme në BE, Kethrin Ashton -
TIRANË, 21 Maj/ATSH-Maela Marini/.- Zyrtarë të Lartë të Bashkimit Europian në një deklaratë të përbashkët u bënë thirrje kreut të qeverisë dhe opozitës në Shqipëri, që "të marrin përgjegjësinë për gjetjen e një zgjidhje të qëndrueshme dhe të shpejtë, në përputhje me Kushtetutën, transparencën dhe me aspiratat e qytetarëve shqiptarë për integrim".
Në deklaratën e përbashkët të Komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fule dhe shefes së Politikës së Jashtme në BE, Kethrin Ashton vlerësohet se "Shqipëria ndodhet në një moment shumë të rëndësishëm në rrugën e saj të integrimit europian".
"Një sërë arritjesh të tjera, kërkojnë kurajo politike. BE është seriozisht e shqetësuar për ngërçin e vazhdueshëm politik, jemi të shqetësuar për mosfunksionimin e parlamentit dhe efektet pasuese nëpër institucionet e tjera", thuhet në këtë deklaratë.
Gjithashtu, zyrtarët më të lartë të BE-së theksojnë se "kjo është koha më e mirë për të gjetur një zgjidhje për krizën aktuale politike, mbi baza që do t'i rezistojnë kohës". /n.m/