Tetovë, 22 Maj, NOA – Bashkimi Demokratik për Integrim ka legjitimitet për të zgjidhur problemet në rrugë institucionale dhe nuk është e interesuar që të shkaktojë krizë.
Një fakt të tillë, drejtuesi i kësaj partie, Ali Ahmeti, ia ka bërë me dijeni ambasadorit të SHBA-ve në Maqedoni, Filip Riker, gjatë një takimi të përbashkët që zhvilluan në Tetovë.
“BDI nuk dëshiron të krijojë krizë, por angazhohet për dialog. Nëse do të dalim nga qeveria, çka do të bëjmë, do të hyjmë në grevë urie apo do të protestojmë para institucioneve? Kjo aspak nuk do të ishte sukses, gjithashtu nuk do të ishte sukses edhe bojkotimi i institucioneve shtetërore. Të gjithë duhet dhe mundemi të kontribuojmë drejt zgjidhjes së problemeve”, ka theksuar Ahmeti, lidhur me një fakt të tillë.
Sipas tij, edhe përkundër bllokimit të proceseve integruese të Maqedonisë nga ana e kryeministrit Nikolla Gruevski dhe hezitimit të pranojë kërkesat e shqiptarëve, Bashkimi Demokratik për Integrim do të vazhdojë të jetë pjesë e qeverisë.
Ndërsa ambasadori amerikan në Maqedoni, Filip Riker, ka theksuar se “tani është mundësia që të arrihet vullneti dhe rruga për ndryshime të dukshme në dinamikën rreth çështjes së emrit”.
“Gjithashtu është e nevojshme që ju si shtet bashkërisht të vazhdoni të punoni në planin e dialogut ndëretnik dhe politik, të mos jeni të mbyllur në kuadër të politikave të ngushta, që janë tejet të vogla në raport me sfidat me të cilat ballafaqohet vendi”, ka theksuar Riker.
n.e/NOA