English

Berisha: Qeveria Shqiptare Do Rrisë Fondet Për Kërkimin Shkencor, Si Kusht Vendimtar Për Suksesin E Tij

- Kryeministri Berisha përshëndet konferencën rajonale të Ministrave të Arsimit - TIRANË, 22 Maj/ATSH-Erla Gjikolli/.- Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se "qeveria shqiptare po përpiqet të rrisë progresivisht fondet për kërkimin shkencor, si një kusht vendimtar për suksesin e tij". Kryeministri Berisha mori pjesë sot në konferencën rajonale të Ministrave të Arsimit dhe përfaqësuesve të kërkimit shkencor, që u organizua në Hotel 'Tirana International', temë kryesore e së cilës është kërkimi shkencor dhe inovacioni, prej të cilave, sipas Kryeministrit Berisha, "varet ndërtimi i së ardhmes". Duke kërkuar intensifikimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e kërkimit shkencor, Kryeministri Berisha u shpreh se "reforma e thellë që ndërmori vendi ymë për të shkrirë kërkimin shkencor me mësimdhënien u bazua në parimet dhe besimin se Universitetet, auditoret dhe laboratorët me potencialet e tyre mbeten shtretërit kryesorë të zhvillimit të mendimit intelektual e shkencor". Reforma e kërkimit shkencor, sipas Kryeministrit Berisha, "do forcohet mbi një reformë të thellë të sistemit të arsimit të lartë, me rritjen gjithnjë e më të madhe të autonomisë së këtyre institucioneve, decentralizimit, por edhe dekoncentrimit brenda tyre". "Historia fakton se çfarëdo që të bëjë një qeveri me fondet publike, ajo nuk do të jetë në gjendje t'u përgjigjet kërkesave të mëdha të kërkuesve dhe studiuesve në buxhetin e saj. Në këtë aspekt modeli amerikan mbetet një model frymëzues për mbarë botën", tha Kryeministri Berisha. Kreu i Qeverisë theksoi se "Qeveria po përpunon të gjithë mekanizmat ligjorë dhe lehtësirat në mënyrë që sektori privat të kontribuojë në zhvillimin e kërkimit shkencor dhe shkencës". Kryeministri nxiti gjithashtu krijimin e qendrave rajonale të kërkimit shkencor, pasi kjo është në interesin më të mirë të burimeve financiare". "Është e rëndësishme që qendrat tona kërkimore dhe shkencore të hapen për studiues nga gjithë bota. Lëvizja është e lirë, por studiuesit kërkojnë mjete dhe kushte dhe për këtë ekzistojnë mundësitë", tha Kryeministri Berisha. Investimi në burimet njerëzore është një faktor suksesi për kërkimin shkencor, tha Kryeministri Berisha, i cili grantoi drejtuesit e univesiteteve se "qeveria do të bëjë çdo përpjekje që ata të kenë sukses". /m.m//s.s./
KOMENTE