Britani E Madhe - Vendi Do Të Hyjë Në Një Epokë Masash Të Rrepta Ekonomike
LONDËR, 22 maj /ATSH-AFP/ - Mbretëria e Bashkuara do të hyjë në një epokë masash të rrepta ekonomike, paralajmëroi sot sekretari britanik i Shtetit për Thesarin, i cili pritet të shpalosë të hënën detajet e shkurtimeve buxhetore prej gjashtë miliardë stërlinash për këtë vit.
"Do të kalojmë nga një epokë bollëku në një epokë shtrënguese në financat publike", deklaroi Laws për "Financial Times", intervista e tij e parë për shtypin e shkruar që prej hyrjes në qeverinë e koalicionit mes konservatorëve dhe liberaldemokratëve e dalë nga zgjedhjet legjislative të 6 majit.
"Do të përpiqemi që kjo epokë shtrënguese të jetë sa më graduale që të jetë e mundur, duke mbrojtur objektet dhe njerëzit që kanë nevojë për mbrojtje", theksoi ai, duke shtuar se është i gatshëm të presë ankesa të shumta nga persona të zemërruar pas shkurtimeve në buxhet.
Qeveria e kryeministrit konservator David Cameron parashikon të zvogëlojë shpenzimet publike me 6 miliardë stërlina (8,7 miliardë euro) për vitin fiskal 2010/2011. Laws pritet t'i paraqesë të hënën detajet e këtij zvogëlimi.
Zvogëlimi i deficitit shumë të madh publik është një nga prioritetet e qeverisë.
Zyra kombëtare e statistikave njoftoi dje një lajm relativisht të mirë: deficiti publik arriti 156,1 miliardë stërlina në vitin 2009/2010 (11,1 për qind të PBB), në vend të 163 miliardë të parashikuar më parë. Por, megjithatë, ky mbetet një rekord.
/I.Pu.