English

Durrës: Velistët E Rinj, Garë Detare Në Kuadër Të Veprimtarive "Dy Popuj, Një Det, Një Miqësi"

DURRËS, 22 maj, /ATSH-Gëzim Kabashi/ - Rreth 25 fëmijë të moshave të ndryshme nga disa qytete konkuruan sot në Durrës në garën me vela, organizuar në në kuadër të stinës së promovuar nga Ambasada e Italisë "Dy popuj, një det, një miqësi". Pas një jave përgatitore nën kujdesin e përbashkët të Federatës shqiptare të sportit të Velës (FSHSV) si dhe specialistëve ushtarakë italianë të misionit të Guardia di Finanza, fëmijë dhe të rinj të moshave 12-18 vjeç zhvilluan pesë gara, të ndarë në bateri dhe më pas në finale, konkuruan katër më të mirët. Në ceremoninë e zhvilluar në urën e sektorit "Iliria" u shpallën katër fituesit, Scott Grunerud, Sidney Hemphill, Forrest Denham dhe Italo Kabashi, i vetmi shqiptar mes finalistëve. Tre finalistët e tjerë janë fëmijë të familjeve të huaja që punojnë dhe jetojnë në Shqipëri. Presidenti i FSHSV, Geri Selenica në përshëndetjen e tij nënvizoi se kjo veprimtari është e para e këtij lloji në vendin tonë dhe synon të kultivojë një grup të rinjsh që do të marrin pjesë më vonë në gara kombëtare dhe ndërkombëtare, ndërsa ka edhe qëllimin të nxisë pasionin e nxënëve për këtë sport të bukur ujor. "Vendi ynë i ka të gjitha resurset për ta zhvilluar sportin e velave dhe për Federatën tonë është mjaft i rëndësishëm bashkëpunimi me Italinë fqinje, e cila ka një përvojë shumë të mirë në këtë drejtim," u shpreh Selenica. Komandanti i shkollës së Guardia di Finanza në Gaeta, Marcello Marzocca, tha se stervitja njëjavore me gjithë motin e papërshtatshëm është zhvilluar me një staf specialistësh ushtarakë, disa prej të cilëve kampionë olimpikë dhe botërorë në këto sporte të cilët erdhën enkas në portin detar të Durrësit me anijen shkollë "Girgio Cini". Në portin detar të Durrësit çdo vit mbërrijnë dhjetra velierë dhe jahte nga vende të ndryshme të Evropës./ch/
KOMENTE