Tiranë, 22 Maj, NOA- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, deklaroi për herë të parë pas darkës së Strasburgut, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Sali Berisha, me personalitete të larta evropianë, se kutitë e 28 qershorit do të hapen.
Sipas tij, tani ajo që mbetet për të bërë është vetëm gjetja e modaliteteve të duhura për procedurat që duhen ndjekur për këtë.
Z.Rama, a mund të na thoni diçka mbi atë që u vendos në darkën e Strasburgut?
Dëshiroj të nënvizoj progresin e jashtëzakonshëm që ka bërë çështja jonë, duke u shtruar për zgjidhje në tryezën më të rëndësishme që mund të organizohej në nivel ndërkombëtar. Dua të nënvizoj gjithashtu se falë sakrificës së madhe të atyre burrave dhe grave, djemve dhe vajzave që ndërmorën hapin për të hyrë në një grevë urie, ne sot jemi besimplotë duke u nisur nga fakti që kutitë do hapen. Mbetet për të diskutuar dhe zgjidhur sesi do të procedohet konkretisht. Por tani më është e qartë se të gjitha Ruzhdiet e Shqipërisë nuk do të mbeten më në errësirën e kutive të mbyllura. Hetimi parlamentar do të mund të ketë akses të plotë dhe mundësinë që të nxjerrë në dritë, gjithçka ka të bëjë me mekanizmin famëkeq të Ruzhdies.
Nga ana tjetër besoj se është e domosdoshme të nënvizohet që në këtë fazë kaq të rëndësishme për vendin zgjidhja nuk duhet të vonojë, palët nuk duhet të luajnë “e ka kush e ka”, në kushtet kur është vendosur një afat, i cili ka një kuptim ultimativ për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare kësaj krize që thellohet përditë. Dhe kjo zgjidhje përfundimtare është e lidhur me domosdoshmërinë që procesi demokratik në Shqipëri, të hyjë në një fazë më normale dhe nga ana tjetër proceset e integrimit të vendit, të shtyhen përpara e të mos kërcënohen nga rreziku i bllokimit.
Kjo është pamja që ne kemi përgjegjësisht nga gjithë zhvillimet e fundit dhe dua të shpreh edhe keqardhjen time për të gjithë cinikët, që posaçërisht në periudhën e zhvillimit të një greve urie, që pa pikë dyshimi do të hyjë në historinë e zhvillimeve demokratike të vendit si një kontribut i posaçëm i kësaj opozitë, për t’i dhënë sens demokracisë e gjithë koncepteve kyçe të saj, nuk mundën të vetëpërmbahen, e për më tepër u lëshuan në shtratin e një qasjeje sinqerisht të shëmtuar.
Po e mbyll këtë paraqitje duke theksuar se sot ne jemi në pikën më kulmore të përpjekjes sonë të vështirë. Jemi në një stacion shumë të rëndësishëm të rrugës sonë të mundimshme. Jemi në një moment kur i kemi të gjitha arsyet të besojmë se e gjithë kjo përpjekje, e gjithë kjo rrugë që kemi bërë për të arritur deri këtu, jo vetëm kanë vlejtur si një dëshmi shumë e rëndësishme e idealeve dhe ideve tona për një Shqipëri realisht demokratike, por edhe për të arritur në një rezultat konkret.
Zoti Rama kur thoni që kutitë do hapen, për cilat kuti e keni fjalën? Për materialet zgjedhore apo edhe ato të votave?
Do të ishte e udhës për hir të vërtetës që askush të mos e harroj se vetëm deri para pak ditësh, kutitë ishin tabu. Sot kjo tabu ka rënë dhe hapja e tyre tani më është e pa shmangshme. Sigurisht duhet përcaktuar metodologjia përmes së cilës do të operohet për të gjithë procedurën e hetimit.
Ndërkohë që duhet të jemi të ndershëm dhe të qartë se hapja e kutive dhe vënia në dispozicion për hetim, e gjithë dokumentacionit zgjedhor, jo vetëm nxjerr në dritë mekanizmin famëkeq të Ruzhdies, por edhe mundëson që ç’ka ka ndodhur në të shkuarën të zbulohet dhe të shërbejë si një bazë për të ndërtuar të gjitha garancitë që të mos ndodhi në të ardhmen. Lojërat e fjalëve në këtë aspekt nuk vlejnë dhe mbetet e qartë që kutitë do hapen. Pastaj e përsërisë metodologjia mbetet për tu përcaktuar.
Zoti Rama ju sapo thatë se do të ketë një hetim parlamentar që do të ketë një akses të plotë për të hetuar, kjo do të thotë që ju do të kërkoni ngritjen e një tjetër komisioni hetimor parlamentar?
Çështjet e procedurës janë çështje dytësore, në kushtet kur kërkohet një zgjidhje me vullnet të plotë politik të palëve dhe në respekt të detyrimeve që Shqipëria ka ndaj komunitetit ndërkombëtar. Sot komuniteti ndërkombëtar nuk është thjesht i shqetësuar, por është i angazhuar. Në një tryezë e cila nuk ishte tryeza e një darke që u mbyll, por tryeza që u hap për të zgjidhur një krizë që duhet të mbarojë brenda dy javësh, në rast se nuk duam që Shqipëria të përballet me pasoja krejt të pa merituara. Dhe ne përsa na takon, nuk e duam kurrsesi një gjë të tillë. E për këtë arsye jemi të angazhuar me mish e me shpirti për ti dhënë zgjidhje kësaj krize.
Zoti Berisha dje ka dhënë një panoramë ndryshe të gjithë situatës politike dhe zhvillimeve në Strasburg, duke përmendur sërish Kushtetutën dhe Gjykatën, në një interpretim të vazhdueshëm që nuk lejohet hapja e kutive, sipas vendimit të gjykatave.
Le të jemi të kthjellët e të mos humbasim në labirintet e fjalëve. Hetimi kërkon akses dhe do të ketë akses për të hapur kutitë. Përsa i përket fletëve të votimit ka një diskutim për të përcaktuar qasjen ndaj tyre. Por ndërkohë mekanizmi i Ruzhdies është lehtësisht i nxjerrshëm në dritë, pa fletët e votimit. Për fletët e votimit, nuk kemi pse ta fshehim, ka një debat dhe palët janë ende larg. Megjithatë ne jemi ta hapur për të gjetur një zgjidhje kompromisi edhe lidhur me këtë pikë që mbetet një nyje për tu zgjidhur.
Kur flisni për zgjidhje ultimative, a keni parasysh këtu edhe problemet që kjo situatë politike mund të sjelli në procesin e liberalizimit të vizave?
Nuk dua të hyj në detaje të një tryeze e cila sigurisht ka të gjithë transparencën e nevojshme për publikun. Por në një proces ku negociohet është gjithashtu e rëndësishme që detajet të mos kthehen në një arsye për keqkuptime duke penguar procesin e negocimit.
Në këtë fazë që jeni, Partia Socialiste, është e gatshme të marrë pjesë në mënyrë të plotë në parlament?
Partia Socialiste është e gatshme të bëjë të gjitha detyrat e saj karshi shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar, dhe është thellësisht mirënjohëse për gjithë mbështetjen e jashtëzakonshme që morri gjatë gjithë kësaj faze protestash intensive nga qytetaret dhe qytetarët e këtij vendi dhe për të gjithë ndjeshmërinë që komuniteti ndërkombëtar shprehu duke hapur një tryezë, që kurrë më parë nuk është hapur për të zgjidhur një çështje shqiptare, në kuptimin e Shqipërisë zyrtare dhe që pa asnjë dyshim përbën maksimumin përsa i takon synimit tonë për ta përfshirë komunitetin ndërkombëtar në zgjidhjen e kësaj krize. Nuk e kishim menduar se mund të arrinim në këtë pikë të lartë konvergjence të shqetësimeve dhe të angazhimit të të gjitha palëve. Këtu kam parasysh të gjitha palët që përfaqësojnë sot botën demokratike në momentin ku jemi.
Për të qenë më të qartë, javën tjetër deputetët e PS-së, do marrin pjesë nëpër komisione?
Për të qenë më të qartë javën e ardhshme do të ketë një zhvillim intensiv negociatash me përfshirjen e drejtpërdrejtë të të dërguarve të komunitetit ndërkombëtar.
Z. Rama ju thoni se për çështjen e kutive të materialeve zgjedhore të dyja palët bien dakord, cilat janë dallimet mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për çështjet e kutive me fletët e votimit. Ju thatë gjithashtu se jeni të gatshëm të bëni kompromise për këtë gjë. A jeni të gatshëm për hir të kompromisit të zbatohet pika 6 e nenit 178?
Jo. Unë dua t’ju rikujtoj edhe njëherë tjetër që deri përpara pak ditësh kutitë ishin tabu. Kjo tabu ka rënë, kutitë do hapen. Ndarja e dokumentacionit zgjedhor nga fletët e votimit është një çështje që nuk e cenon thelbin e problemit që kishte të bënte me domosdoshmërinë për të nxjerrë në dritë mekanizmin e deformimit të vullnetit të popullit. Dhe për më tepër besoj se në këtë moment ku jemi, na duhet të shikojmë më shumë vëmendje sesa të mëdha janë interesat e vendit dhe të publikut dhe sesa e padrejtë do të ishte që këto interesa të cenoheshin për shkak të një kokëfortësie që ne nuk e kemi.
Po cilat janë dallimet mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për çështjet e kutive me fletët e votimit?
Më lejoni që në respekt të tryezës që është hapur dhe posaçërisht të atyre miqve dhe partnerëve që janë përfshirë me shumë seriozitet në këtë tryezë, unë të mos japë detaje.
Ju prisni që brenda këtyre dy javëve, meqenëse është dhënë një periudhë ultimative sipas deklaratës suaj për zgjidhjen e krizës, të nisë pa humbur kohë hetimi me kutitë e materialeve zgjedhore në parlament, me komisionin që ka votuar parlamenti apo me një komision të ri hetimor parlamentar?
Unë pres që çështja të zgjidhet në parim dhe sigurisht me zgjidhjen e çështjes në parim të fillojë hetimi parlamentar.
Kuvendi kaloi 3 kandidatura për votim për Gjykatën Kushtetuese.....?
Do më lejoni që sot të fokusohem vetëm tek kjo çështje dhe nesër do të kemi kohën e nevojshme për të fokusuar edhe në çështje të tjera, pasi kjo çështje ka të bëjë me një nyje shumë të madhe që duhet këputur, por sigurisht këputja e kësaj nyje, nuk zgjidh gjithë problematikën e krizës shqiptare, ku ka një pjesë shumë të madhe gjendja kritike e drejtësisë e po ashtu edhe e tatëpjeta e ekonomisë.
Nëse PS dhe PD nuk arrijnë të gjejnë kompromisin, a është e gatshme opozita që të rinisë protestat?
Ne nuk ndalemi dhe ne nuk zmbrapsemi. Por ne jemi shumë të vetëdijshëm, se duhet të shfrytëzojmë çdo shans dhe mundësi që jepet për zgjidhjen e krizës. Dhe sigurisht pavarësisht nga një propagandë e shthurur që është bërë në adresën tonë, duke thuajse u lutur pushteti që protesta jonë të degjeneroj në dhunë, ne asnjëherë nuk e kemi menduar zgjidhjen si një moment që do të vijë nëpërmjet rrugës. Ne zgjidhjen e kemi menduar si një moment që do të vijë nëpërmjet tryezës. Por për sa kohë kjo na është mohuar ne kemi qëndruar fortë në një rezistencë, që e keni parë ju, e ka parë populli shqiptar, e ka parë mbarë bota demokratike. Dhe s’ka asnjë dyshim që jemi të gatshëm të vazhdojmë të rezistojmë, ashtu siç rezistuam sa pa u hapur tryeza, në rast se tryeza do të mbyllet pa sukses.
Që do të thotë në rast të nisjes së protestave nuk do të kërkohet më hapja e kutive, por largimi i qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme?
Hapja e kutive është një çështje e interesit publik dhe ne jemi shumë krenar që jemi bërë flamurtarët e mbrojtjes të kësaj çështjeje.
Z. Rama ndoshta për hir të kompromisit të publikut që ka 9 muaj që po përjeton këtë krizë, a mund të na thoni se cili është kompromisi që ofron Partia Socialiste dhe nëse në darkën e Strasburgut, pati një diskutim për çështjen e rinumërimit të votave dhe çfarë qëndrimi i mbajt?
Edhe njëherë dua të përsëris. Ajo tryezë nuk është tryeza e një darke që u mbyll, por është tryeza e hapur e një procesi që duhet të përfundojë me zgjidhjen. Dhe zgjidhja është hapja rrugë e transparencës. Unë jam besimplotë se ne do ti hapim rrugë transparencës.
Z. Rama ju thoni që jeni të gatshëm që të rinisni protestat, por thatë gjithashtu se komuniteti ndërkombëtar është gjithashtu i shqetësuar për situatën që po kalon Shqipëria. Në këtë tryezë u shpreh shqetësimi për gjetjen e një kompromisi për transparencën e zgjedhjeve apo edhe për qëndrimet radikale që ka mbajtur opozita, si greva e urisë për shembull?
Më lejoni që për hir të respektit, e përsëris për tryezën dhe për një arsye thjesht etike, unë të mos japë detaje nga një bashkëbisedim i gjerë, i gjatë, intensiv, i apasionuar dhe i tensionuar.
Z. Rama, kryeministri Berisha nuk e ruajti këtë lloje etike dhe në fund deklaroi se të pranishmit ju kërkuan juve që të paguanit darkën?
Secili ka etikën e tij. Në rast se ju mendoni që Berisha nuk e ka ruajtur këtë etikë, kjo është një çështje e zotit Berisha. Përsa i përket pagesë së darkës, unë e thashë, kur e dëgjova m’u kujtua ajo shprehja: Kërcen prifti nga belaja.
Në momentin që bie dakord për hapjen e kutive të materialeve zgjedhore, kutitë e fletëve të votimit do të digjen apo do të pritet vendimi i Komisionit të Venecias?
Ne përjashtojmë çdo mundësi që kompromisi të cënojë parimin e transparencës.
A bëhet mjaftueshëm transparencë pa fletët e votimit, pra vetëm me kutitë e materialeve zgjedhore?
Hapja e kutive është një garanci për transparencën, por përcaktimi i një metodologjie strikte dhe angazhimi për respektimin e kësaj metodologjie nga palët, është po kaq me rëndësi, sepse eksperienca tregon që komisionet hetimore rëndom degjenerojnë në një hiç që thjesht neverit publikun. Ne nuk do të lejojmë që ky komision të ketë fatin e komisioneve pararendës.
Çfarë domethënë metodologji?
Nuk është e nevojshme t’i kuptoni të gjitha në një ditë, sepse janë dy javë për të kuptuar gjithçka.
Në fillim të fjalës suaj u shprehët se në rast të dështimit të tryezës, vendi do të përballej me pasoja. Cilat do të ishin këto pasoja?
Le të angazhohemi për zgjidhjen dhe të mos merremi sot me pasoja që do të kishte moszgjidhja për Shqipërinë dhe për shqiptarët, që pa dyshim do të ishin pasoja të rënda dhe tërësisht të pamerituara për njerëzit e këtij vendi, që boll janë privuar nga gjëra elementare për shkak të politikës së vjetër dhe të mbrapsht të këtij vendi. Ne jemi tërësisht të angazhuar, që zgjidhja të vijë një orë e më parë dhe që vendi të çlirohet një orë e më parë nga makthi i zgjedhjeve të deformuara e të kontestuara dhe njëkohësisht procesi demokratik të çlirohet një orë e më parë nga trysnia që vjen natyrshëm, si rezultat i moslënies së lirë të vullnetit të popullit për të zgjedhur. Dhe mos harrojmë që paralelisht zhvillohet një proces i rëndësishëm për liberalizimin e vizave, proces të cilin ne e kemi mbështetur dhe do e mbështesim fuqimisht dhe për të cilin unë kam kërkuar me këmbëngulje që komuniteti ndërkombëtar, e posaçërisht Europa e ulur në atë tryezë, të mos kushtëzohet nga kjo krizë, por të hapë dritën jeshile që shqiptarët të lëvizin lirisht.
A është menduar PS, edhe për pjesën më të mirë të përfaqësimit të saj juridik dhe parlamentar, kam parasysh që kur hyhet në parlament, në debate komisionesh, aq me tepër hetimore, shpeshherë palët mbasi nuk kanë qenë të vetëdijshme që arma më e fortë është përballja me mekanizmat e duhur ligjor?
Jemi të përgatitur imtësisht për ta përballuar me sukses sfidën e hetimi parlamentar.
Negociatat do t’i bëni në Tiranë ju edhe zoti Berisha, apo në nivel teknik? Do takoheni më në Tiranë?
Nuk mund ta them sot, mbetet për t’u parë.
S’e përjashtoni dot?
Jo.
NOA