English

Fishë Teknike - Tragjeditë Ajrore Më Të Rënda Të Viteve Të Fundit

ROMË, 22 maj /ATSH-ANSA/ - Rrëzimi i një Boeing 737 i kompanisë ajrore Air India Express, me 166 persona në bord, në aeroportin e Mangalores në Indi, shkaktoi sot vdekjen e 158 personave. Vetëm tetë persona arritën të shpëtonin duke u hedhur jashtë avionit para se ky i fundit të përplasej në një humnerë në fund të pistës, ku u përfshi nga flakët. Më poshtë vijojnë tragjeditë më të rënda: 12 maj 2010 - Një avion me 104 persona në bord rrëzohet në aeroportin e Tripolit. Arrin të shpëtojë mrekullisht vetëm një djalë holandez nëntë vjeçar, 103 personat e tjerë gjejnë vdekjen. 10 prill 2010 - Tupolevi presidencial 154 që transportonte presidentin polak Lech Kaczynski rrëzohet para uljes në aeroportin e Smolenskut, në Rusinë perëndimore. Askush nga 96 pasagjerët e avionit nuk arriti të shpëtonte. Së bashku me Kaczynskin humbën jetën bashkëshortja e tij Maria, dhe krerët më të lartë të shtetit polak. 20 gusht 2008 - Një avion model Md-82 i kompanisë "Spanair" rrëzohet gjatë ngritjes për fluturim në aeroportin Barajas të Madridit. 154 persona humbin jetën. 17 korrik 2007 - Në Congonhas të Brazilit, një avion del nga pista gjatë uljes dhe përplaset me një hangar, 170 viktima. 9 korrik 2006 - Një avion pasagjerësh rrëzohet në aeroportin e Irkutsk në Siberi, duke shkaktuar vdekjen e 157 personave. 8 maj 2003 - Të paktën 200 persona humbin jetën pas rrëzimit të një avioni Ilyushin-76 në Republikën Demokratike të Kongos. 19 shkurt 2003 - Në Iran, një avion Ilyushin i Pasdaranëve rrëzohet ndërmjet Zahedanit dhe Kermanit. Në incident humbin jetën 276 persona. 12 nëntor 2001 - Një Airbus A-300 i kompanisë American Airlines, që po fluturonte drejt Republikës Dominikane, rrëzohet pas ngritjes në fluturim nga Nju Jorku në një zonë banimi në lagjen e Queens. Humbin jetën 265 persona. 8 tetor 2001 - Në aeroportin Linate të Milanos, Itali, dy avionë përplasen gjatë ngritjes në fluturim duke shkaktuar vdekjen e 118 personave. /e.v/
KOMENTE