Greqia Kundërshton Propozimin Turk Për Çarmatosjen E Avionëve Gjuajtës Në Egje
ATHINË, 22 maj /ATSH-AFP/ - Zëvendësministri i Jashtëm grek, Dimitris Drucas, kundërshtoi sot një propozim të kryeministrit turk, Recep Tayyip Erdogan, për çarmatosjen e avionëve gjuajtës që veprojnë në detin Egje.
"Avionët grekë janë armatosur sepse atyre u kërkohet të përballojnë një kërcënim të panjohur, sepse pala turke nuk paraqet plane fluturimi përpara se të hyjë në zonën e informimit të fluturimit të Athinës", deklaroi Drucas në një intervistë të publikuar sot në gazetën greke "Imerissia".
Greqia dhe Turqia kanë disa mosmarrëveshje lidhur me sovranitetin në detin Egje, sidomos me vijën kufitare të ujërave territoriale dhe të hapësirës ajrore, gjë që shkakton manovra të shpeshta kërcënuese nga avionë gjuajtës grekë dhe turq.
Gjatë vizitës së fundit zyrtare në Greqi më 14 dhe 15 maj, Erdogan përsëriti propozimin turk të çarmatimit të aeroplanëve gjuajtës për të shmangur çdo aksident.
Pala turke nuk kërkon leje për fluturim kur hyn në hapësirën ajrore greke dhe ne nuk harrojmë se ekziston gjithmonë rreziku për luftë nga Turqia", shtoi Drucas.
Ankaraja ka paralajmëruar në vitin 1995 se zgjerimi në mënyrë të njëanshme i kufirit të ujërave greke me 12 milje detare, i parashikuar nga konventa për të drejtat e detit, që nuk është nënshkruar nga Turqia, përbën një casus belli, deklaratë lufte ose luftime mes dy shteteve.
"Megjithatë, çarmatimi i aeroplanëve nuk nënkupton uljen e tensionit dhe të rrezikut për aksidente. Ajo që duhet të zhdukuet është kërcënimi", theksoi ministri grek.
Vizita e Erdogan, që Drucas e quajti "të rëndësishme", bëri të mundur përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe veçanërisht nënshkrimin e 21 marrëveshjeve që përfshijnë fusha që shkojnë nga lufta kundër imigracionit klandestin deri tek bashkëpunimi në sektorët e turizmit ose të ambientit, por mosmarrëveshjet dypalëshe lidhur me detin Egje dhe Qipron vazhdojnë.
/I.Pu.