Intervistë/Zonat E Mbrojtura-Shtrirja E Tyre Në 17 % Të Sipërfaqes Së Vendit, Objektiv Kryesor
OBJEKTIV KRYESOR
TIRANË, 22 Maj/ATSH-Eriola Çuko/ - Shtimi i sipërfaqes së zonave të mbrojtura dhe shtrirja e këtij rrjeti në 17 % sipërfaqes së vendit, duke arritur kështu në nivele të përafërta me vendet anëtare të Bashkimit Europian, mbetet objektiv kryesor në këto 4 vjet për Ministrinë e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave.
Së fundi, me Vendim të Këshillit të Ministrave u shpall Park Kombëtar ekosistemi natyror detar nga gadishulli i Karaburunit deri në ishullin e Sazanit, me një sipërfaqe të përgjithshme prej 12.570.82 ha.
Drejtori i Biodiversitetit në MMPAU, Sajmir Hoxha, tha të shtunën për ATSH-në se "në programet e MMPAU synohet përgatitja e planeve të menaxhimit dhe të veprimit për ekosistemet, habitatet dhe llojet e ndryshme, investimet në infrastrukturën e zonave të mbrojtura, rritjen e kontrollit për zbatimin e legjislacionit ekzistues dhe monitorimin biologjik të tyre".
Sipas tij, zonat e mbrojtura mbajnë ndër vlerat më të mëdha nga pikëpamja ekologjike dhe ekonomike, pasi veçse mbrojtëse dhe garantuese të larmisë së botës së gjallë, shërbejnë si burim të mirash materiale dhe të ardhurash për komunitetin. Njohja e vlerave ekologjike të biodiversitetit dhe vënia e tyre nën një status mbrojtjeje përbën një zhvillim të ri për të gjithë banorët që jetojnë dhe zhvillojnë aktivitetet e tyre social-ekonomike pranë tyre.
"Shqipëria shquhet për një biodiversitet të larmishëm dhe mbi 36 % e territorit mbulohet nga pyjet, që përbëhen nga një shumëllojshmëri drurësh dhe shkurresh pyjore", tha Hoxha. Ai shton se si pjesë e biodiversitetit gjenden në gjendje natyrale dhe rreth 300 lloje të ndryshme bimësh mjekësore dhe aromatike, me vlera të larta dhe me interes jo vetëm për Shqipërinë, por edhe me interes global". Larmishmëria e drurëve, formacionet e ndryshme pyjore përbëjnë një vendstrehim të përshtatshëm edhe për faunën e egër.
Në Shqipëri ndodhet rreth 30% e florës së Evropës, me rreth 3200 lloje bimësh, rreth 780 lloje shtazore vertebrore, 21 gjitare dhe 17 lloje shpendesh të një rëndësie globale.
Me qëllim përafrimin e legjislacionit mjedisor shqiptar me atë europian, MMPAU ka hartuar vitet e fundit një paketë ligjore për transpozimin e legjislacionit europian në fushën e mbrojtjes së natyrës si ligji 'Për mbrojtjen e biodiversitetit', amendimin e ligjit 'Për zonat e mbrojtura', ligjin 'Për rregullat dhe procedurat për tregtimin e ndërkombëtare të llojeve të rrezikuara te faunes dhe flores se eger', ligjin 'Për mbrojtjen e faunës së egër' dhe së fundi në fillim të këtij viti ligjin 'Për gjuetinë', të cilët kanë siguruar përafrimin e në një shkallë të konsiderueshme të Direktivave kryesore të fushës së mbrojtjes së natyrës.
Kështu, Direktava për Ruajtjen e Shpendëve të Egër me miratimin e ligjit të gjuetisë ka arritur në shkallën e transpozimit prej 85 % dhe përafrimi i plotë do të realizohet nëpërmjet akteve nënligjore në zbatim të këtij ligji, ndërsa Direktiva e Habitateve është trasnpozuar në masën 77 %. "Është hartuar lista e llojeve të huaja invazive, e miratuar me VKM ne mars 2009. Gjithashtu, është hartuar lista e kuqe e florës dhe e faunës shqiptare si dhe është hartuar kuadri nënligjor për monitorimin e biodiversitetit", sqaron më tej drejtori i Biodiversitetit në MMPAU.
Për ruajtjen dhe mirëmenaxhimin e kësaj pasurie natyrore mbi bazën e parimit të zhvillimit të qëndrueshëm është ngritur një rrjet përfaqësues i Zonave të Mbrojtura, ndër të cilat veçohen Parqet Kombëtare si zona me rendesi te veçante për ruajtjen dhe zhvillimin e biodiversitetit. "Sipërfaqja e Zonave të Mbrojtura në vend ka arritur ne 362 mijë ha, ose 12.57 % të territorit të vendit dhe është dyfishuar për periudhën 2005-2009", pohon Hoxha.
Rëndësi të madhe merr edhe njohja, promovimi dhe edukimi i shoqërisë për vlerat dhe rëndësinë e natyrës dhe zonave të mbrojtura. "Ashtu sikundër merret pëlqimi për shpalljen e një zone të mbrojtur nga komunitetit, organeve të qeverisjes vendore, institucioneve shtetërore dhe kërkimore-shkencore, OJF mjedisore, biznesit dhe pronarëve privatë të ligjshëm, do të duhet që të gjithë këta aktorë të luajnë rolin e tyre për mbrojtjen dhe konservimin e këtyre zonave", thekson Hoxha.
Botimet njohëse e prezantuese për peizazhin natyror të Shqipërisë, parqet kombëtare, albumet me monumentet e natyrës, faunës e florës së rrallë, etj, konsiderohen mjete efikase per njohjen dhe ndërgjegjësimin e komuniteteve në ruajtjen e menaxhimin e zonave të mbrojtura.
"Në disa prej zonave të mbrojtura po zbatohen projekte-pilot nga qeveria dhe donatorë të huaj, me qëllim përmirësimin dhe mbrojtjen e biodiversitetit dhe habitateve, fuqizimin e kapaciteteve të administrimit të Zonave të Mbrojtura", theksoi Hoxha.
Përpjekjet e para të shtetit shqiptar për mbrojtjen e pyjeve datojnë në 1923. Në ligjin e parë të pyjeve të vitit 1923 ka elementë që përcaktojnë mbrojtje e trajtim të veçantë për lloje të caktuar drurësh kafshësh e shpendësh të egra, si dhe për gjueti të kontrolluar, etj.
Në vitin 1940 u shpall rezervat gjuetie territori Kune-Vain-Tale në Lezhë, i cili është dhe zona e parë e mbrojtur në Shqipëri. Me konceptin e ri, kjo rezervë duhet të konsiderohet si zona e parë natyrore e mbrojtur e vendit. Po atë vit, sipas disa studiuesve të huaj, edhe Mali i Tomorit është konsideruar Park Kombëtar./s.s./