Strasburg, 22 Maj, NOA - Udhëheqësit shqiptarë, kryeministri Sali Berisha dhe kreu i Partisë Socialiste të opozitës, Edi Rama, kanë dy ose tre javë kohë për të arritur një marrëveshje për të kapërcyer ngërçin politik.
Ky ka qenë përfundimi i një takimi të ndërmjetësuar nga dy grupet kryesore parlamentare Evropiane në mbrëmjen e së enjtes në Strasburg, sipas nënkryetarit të grupit parlamentar kristian-demokrat në Parlamentin Evropian, Ioannis Kasoulides, i cili foli për BBC-në pas takimit.
Gjatë darkës në praninë e përfaqësuesve më të lartë të majtës dhe të djathtës evropiane dhe të komisionerit për Zgjerimin Stefan Fule, udhëheqësit shqiptarë kanë biseduar për mundësinë e gjetjes së gjuhës së përbashkët për kapërcimin e krizës politike që ka mbërthyer vendin që pas zgjedhjeve të qershorit të kaluar.
Europarlamentari i lartë, Kasoulides shprehet optimist në intervistën për BBC-në pas takimit.
Z. Kasoulides, çfarë doli nga takimi në Strasburg?
Fillimisht, dua të them se kjo ishte një nismë e dy grupeve më të mëdha në Parlamentin Evropian, Partia Popullore Evropiane dhe grupeve Socialiste e Demokrate, dhe dy kryetarët e grupeve: presidenti Joseph Daul dhe presidenti Martin Schulz kishin ftuar kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha dhe udhëheqësin e opozitës Edi Rama për të ardhur në Strasburg, në një vend simbolik, kryeqyteti i Evropës, dhe qyteti i pajtimit në Evropë, për të diskutuar lidhur me mënyrat për të dalë nga gjendja e tanishme e ngërçit politik dhe nga kriza politike me të cilën përballet Shqipëria.
Janë diskutuar të gjitha çështjet që lidhen me këtë gjendje. Pas një shqyrtimi të plotë mund të them se është bërë përparim, gjë që na bën ne të jemi optimistë se kur udhëheqësit të takohen përsëri, siç u vendos, brenda dy ose tre javësh, ne shpresojmë se do të kemi një marrëveshje.
Çfarë është vënë mbi tryezë zoti Kasoulides?
Unë nuk dua të hyj në këto lloj hollësish. Ju e dini më mirë se unë se cilat janë çështjet që ngrihen në Shqipëri për momentin, prandaj mbi tryezë janë ide se si t'i zgjidhim të gjitha ato në mënyrë të kënaqshme që sistemi parlamentar të punojë pa pengesa në mënyrën evropiane të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve dhe unë mendoj se mbrëmë në këtë mënyrë u veprua dhe kjo është rruga përpara.
Nga takimi i parmbrëmshëm, a mendoni ju se mund të arrihet një zgjidhje? A janë palët konstruktive?
Jam optimist se të dy udhëheqësit po kërkojnë një zgjidhje dhe prandaj një zgjidhje mund të arrihet.
BBC