Uashington, 22 maj, NOA - Koreja e Veriut duhet të ndalojë sjelljet provokuese, politikat e saj të kërcënimeve të luftës ndaj vendeve fqinje, si dhe të ndërmarrë hapa të pakthyeshëm për të përmbushur angazhimet mbi çarmatimin bërthamor e të zbatojë ligjin ndërkombëtar.
Një fakt të tillë, e ka bërë me dijeni sekretarja amerikane e Departamentit të Shtetit, Hillari Klinton, duke shprehur kështu dënimin e vendit të saj ndaj aktit të fundosjes më 26 mars të anijes luftarake të Koresë së Jugut, nga një silur i lëshuar prej një nëndetëseje të Koresë së Veriut, e cila fundosi luftanijen Cheonan duke vrarë 46 marinarë.
“Mendoj se është shumë e rëndësishme që t’i dërgohet një mesazh i qartë Koresë së Veriut se veprimet provokuese kanë pasoja. Nuk mund të lejojmë që ky sulm ndaj Koresë së Jugut të kalojë pa përgjigje nga komuniteti ndërkombëtar. Kështu që do përcaktojmë masat më të mira dhe do t’i dërgojmë një mesazh të qartë e të pagabueshëm Koresë së Veriut rreth shqetësimeve të komunitetit ndërkombëtar e vendeve të saj fqinje mbi sjelljen e Phenianit”, komentoi ajo.
Nga ana e saj, Koreja e Veriut i ka hedhur poshtë rezultatet e hetimit duke i quajtur ato fabrikime dhe ka premtuar që të përgjigjet ndaj çdo reagimi të mundshëm me “luftë të hapur”.
n.e/NOA