Tiranë, 22 Maj, NOA Update – “Sot ne jemi në pikën kulminante dhe i kemi të gjitha arsyet të besojmë se e gjithë përpjekja jonë e mundimshme e grevës së urisë dhe rruga që ne bëmë deri këtu, jo vetëm që ia vlejtën si një dëshmi shumë e rëndësishme e idealeve tona për një Shqipëri realisht demokratike, por edhe për të arritur në një rezultat konkret për zgjidhjen e krizës”.
Kështu ka pohuar lidhur me grevën e urisë të zhvilluar prej 19 ditësh nga 200 përfaqësues dhe mbështetës të Partisë Socialiste, kreu i kësaj force politike, Edi Rama.
Më tej, lidhur me hapjen e kutive të 28 qershorit, ai u shpreh se “hapja e kutive është e domosdoshme jo vetëm për të nxjerrë mekanizmin famëkeq të Rruzhdies, por edhe që çka ka ndodhur të zbulohet dhe të ndërtohet si një bazë garancie që në të ardhmen, kjo të mos ndodhë më”.
Ndërsa, rreth darkës së Strasburgut me Berishën dhe përfaqësuesit e lartë evropianë, zhvilluar para dy netësh në restorant “Crocodil” ai nuk deshi të jepte detaje, por tha gjithsesi se “ajo tryezë nuk përfundoi atje, por ishte një hapje për rrugën e transparencës së procesit të 28 qershorit”.
n.e/NOA