English

Kryeministri: Jemi të hapur për energjinë atomike në vend

Tiranë, 22 Maj, NOA Update – “Jemi të hapur edhe për energjinë atomike, për aplikimin e së cilës po përpunojmë të gjithë kuadrin e nevojshëm ligjor”.

Me këto fjalë u është drejtuar investitorëve në konferencën rajonale për ekonominë që po zhvillohet në Tiranë, kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha, duke paraqitur kështu projektin qeveritar për përdorimin e energjisë atomike, si burim energjie.

Ndër të tjera, në këtë konferencë, ai ka pohuar gjithashtu, se “kemi nënshkruar 200 kontrata për energjinë dhe kemi bërë investime të mëdha, prej 5 miliardë eurosh”.

Sipas tij, vendi ynë paraqet opsione mjaft të favorshme në fushën e energjisë dhe për këtë arsye, investitorët e huaj, duhet të jenë të gatshëm për të investuar në këtë fushë në vendin tonë.

Duke u ndalur konkretisht në bashkëpunimin me Italinë, ai tha se ekzistojnë mundësi të shkëlqyera për të prodhuar energji dhe për t’ia shitur më pas këtij vendi, duke krijuar lidhje direkte me rajonin e Pulias.

n.e/NOA

KOMENTE