Tiranë, 22 Maj, NOA – Mazhoranca është gati për çdo kompromis me opozitën brenda kuadrit ligjor që përmban vendi.
Një fakt të tillë e ka bërë me dijeni vetë kryeministri Sali Berisha, gjatë një prononcimi për mediat, i pyetur mbi krizën politike në vend dhe mënyrat e zgjidhjes së saj, pas darkës së tij në Strasburgu me Ramën, ku nuk u arrit të konkludohej në ndonjë kompromis konkret mes palëve.
“Zgjidhja duhet të realizohet brenda dy javësh dhe ne jemi gati ta realizojmë atë brenda Kushtetutës”, mësohet të jetë shprehur kreu i qeverisë lidhur me këtë çështje.
Ky ka qenë reagimi i tij, i njëjtë me atë që ka mbajtur gjatë gjithë këtyre muajve kur opozita e ka kontestuar vazhdimisht rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit, ndërsa ka kërkuar me ngulm hapjen e kutive të votimit.
Ndërsa kryesocialisti Edi Rama, pas kthimit të tij nga Strasburgu, ku është takuar me rivalin e tij politik, Sali Berisha, ka theksuar se opozita gjithashtu është e interesuar të gjendet një zgjidhje për situatën e rëndë politike të krijuar dhe se e cilëson si arritje tryezën e realizuar në mbikëqyrjen e përfaqësuesve të lartë evropianë në Strasburg.
n.e/NOA