English

Përfundon remonti i ujësjellësit të Bovillës, Dollapi: Cilësi uji për 10 vjet

Tiranë, 22 Maj, NOA /Blerina Ahmetaj – Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve ka përfunduar remontin e plotë të impiantit të Bovillës i cili furnizon pjesën më të madhe të rrjetit të qytetit të Tiranës.

Drejtori i saj, Sait Dollapi, i ka siguruar konsumatorët se me rikonstruksionin e kryer, cilësia e ujit të pijshëm është e garantuar për 10 vjet.

“Sot pas 17 ditësh ne kemi përfunduar rikonstruksionin e plotë të Bovillës, duke siguruar një furnizim më të mirë me ujë të qytetit të Tiranës. Nga dita e sotme do të hiqen kufizimet në zonat e prekura për shkak të rikonstruksionit si “Siri Kodra”, Lapraka, Kinostudio, Qendra e Tiranës. Me këtë rikonstruksion ne sigurojmë furnizim dhe cilësi të ujit për një periudhë 10-vjeçare”, tha drejtori i Ujësjellësit, Sait Dollapi.

Drejtori i UKT u ka ofruar zonave informale që s’kanë rrjet, të lidhin kontratë me ndërmarrjen për t’i ofruar furnizim me ujë të pijshëm përmes boteve dhe jo duke i siguruar ato në rrugë private pasi nuk dihet siguria e cilësia e ujit që ato ofrojnë.

Në lidhje me disa probleme që janë shfaqur në komunën e Parisit ku disa pallateve u është ndërprerë furnizimi me ujë nga Ujësjellësi për shkak të ndotjes nga ujërat e zeza të rrjetit, Dollapi ka garantuar se po punohet për riparimin e defektit dhe furnizimin normal të qytetarëve të kësaj zone nga ndërmarrja e ujësjellës kanalizimeve.

b.a/n.e/NOA

KOMENTE