English

Përmbledhje/ Indi - Një Tragjedi Ajrore Shkakton 158 Viktima, Shpëtojnë Tetë

- Kritikohet pista për kushte jo të mira sigurie - NJU DELHI, 22 maj /ATSH-ANSA/ - Një tragjedi ajrore tronditi sot Indinë. Një avion Boeing 737 i kompanisë ajrore Air India Express me në bord 166 persona doli nga pista gjatë uljes dhe u përplas në një rrëpirë ku u përfshi nga flakët. Gjithçka ndodhi në Mangalore, një lokalitet bregdetar në jug të Indisë. Vetëm tetë pasagjerë arritën të shpëtonin, duke u hedhur jashtë avionit pas përplasjes, para se gjithçka të përfshihej nga flakët. Për 158 personat e tjerë, ndër të cilët gjashtë anëtarë të ekuipazhit, nuk pati asnjë rrugë shpëtimi. Gati të gjithë viktimat ishin indianë, imigrantë në vendet e pasura të Gjirit, të cilët ktheheshin në atdhe me familjet për festat verore të përvitshme. Më shumë se 60 prej tyre ishin nisur për në shtetin Kerala ku do të merrnin pjesë në një dasmë. Gati të gjithë vdiqën të karbonizuar në skeletin e ndarë në dy pjesë të avionit "low cost" të kompanisë Air India. Fluturimi IX 812 fluturonte nga Dubai në Mangalore dhe në destinacion mbërriti në orar, pak para orës gjashtë me orën lokale. Kjo tragjedi është një nga më të rëndat në historinë e aviacionit indian dhe është edhe një zile alarmi për një vend që, sipas vëzhguesve, po rritet shumë shpejtë dhe në mënyrë të çrregullt. Për shkaqet e tragjedisë hidhet hipoteza për një gabim të pilotit gjatë uljes, por edhe një pamjaftueshmëri e kushteve në pistën Bajpe-Mangalore, një "tavolinë" mbi kodra e rrethuar nga humnera, si ajo ku përfundoi avioni i sotëm pasi doli nga pista. Ky aeroport konsiderohet si një nga më të fshehtit për sa i përket përbërjes së tij në tërësi. Dhe në pesë vitet e fundit ka pasur shumë raste kur tragjedia është shmangur mrekullisht, dhe kjo për shkak të mungesës së hapësirave të sigurisë. Si për ironi të fatit, pista ku ndodhi sot tragjedia, është ndërtuar së fundmi dhe jo shumë kohë më parë u inaugurua nga ministri i Aviacionit Civil, Praful Patel, i cili sot u rikthye atje për të dekretuar zinë kombëtare. Pista e re, e gjatë 2.5 kilometra, është kritikuar shpesh herë, veçanërisht nga Grupi ambientalist "Environment Support Group", sipas të cilit autoritetet lokale nuk kanë respektuar normativat kombëtare dhe ato ndërkombëtare. Sipas rindërtimit të dinamikës së ngjarjes nga ana e ministrit Patel, "nuk ka pasur anomali në manovrat e uljes dhe nuk kishte pasur asnjë kërkesë ndihme nga ana e pilotit", ky një fakt i konfirmuar edhe nga të mbijetuarit. Por ministri theksoi se avioni e kishte prekur pistën "pak pas pikës së parashikuar dhe për pasojë nuk kishte më rrugë për të ndaluar duke u përplasur në luginën fundore". Sipas disa mediave indiane, tragjedia mund të ketë ndodhur për shkak të një gabimi të pilotit Zatlok Glusika, 55 vjeç, një shtetas britanik me origjinë serbe, i cili mund ta ketë nisur uljen me vonesë. Megjithatë Patel theksoi se piloti ishte ekspert, mbante mbi supe 10 mijë orë fluturimi dhe ishte ulur rreth 20 herë në atë pistë. Nuk është përjashtuar as hipoteza e një defekti teknik. Një ekip ekspertësh amerikanë të kompanisë Boeing ka mbërritur tashmë në Mangalore për të marrë pjesë në hetime. Avioni kishte dy vjet e gjysmë që përdorej. Një nga tetë të mbijetuarit (ndër të cilët tre fëmijë) ishte hedhur jashtë nga një e çarë e trupit të avionit para se ky i fundit të përfundonte në humnerë. Ai rrëfeu se i ishte krijuar përshtypja se avioni mund të kishte dalë nga pista për shkak të çarjes së një gome. Hetimet pritet të përfundojnë pas pak ditësh, pasi te ekzaminohen edhe kutitë e zeza. Një avion special është dërguar në Dubai për të marrë të afërmit e viktimave. Të gjithë 158 trupat janë gjetur por pjesa më e madhe e tyre janë karbonizuar dhe identifikimi është gati i pamundur. Për Indinë ajo e sotmja është një nga tragjeditë ajrore më të rënda. E fundit daton në vitin 2000, kur një avion i një tjetër kompanie ajrore kombëtare u rrëzua në një lagje rezidenciale pranë aeroportit të Patnas, në shtetin verior të Biharit, duke shkaktuar vdekjen e rreth 60 personave. /e.v/
KOMENTE