English

Rama:Jemi Besimplotë Se Kutitë Do Të Hapen

TIRANË, 22 Maj/ATSH-Anila Struga/.- Kryetari i Partisë Socialiste (PS), Edi Rama, u shpreh sot optimist se zgjidhja e krizës në vend nuk do të vonojë, duke theksuar se kutitë do të hapen, por metodologjia për këtë mbetet ende për t'u përcaktuar. "Falë sakrificës së madhe të atyre burrave e grave që ndërmorën hapin për të hyrë në një grevë urie, ne sot jemi besimplotë nisur nga fakti që kutitë do të hapen. Mbeten për t'u shtruar e zgjidhur se si do procedohet konkretisht, por tanimë është e qartë se "ruzhdiet" e Shqipërisë nuk do të mbeten më në errësirën e kutive të mbyllura. Hetimi parlamentar do të mund të ketë akses të plotë dhe mundësinë që të nxjerrë në dritë gjithshka ka të bëjë me mekanizmin famëkeq të 'ruzhdies", tha kryetari PS-së, pas kthimit nga Strasburgu, ku ishte i ftuar nga zyrtarët europianë së bashku me Kryeministrin Sali Berisha për arritjen e një kompromisi. "Hetimi kërkon akses dhe do të ketë akses për të hapur kutitë. Sa i takon fletëve të votimit ka një diskutim për të përcaktuar qasjen ndaj tyre, por ndërkohë mekanizmi i 'ruzhdies' është lehtësisht i nxjerrshëm në dritë. Për fletët e votimit ka një debat dhe palët janë ende larg, megjithatë ne jemi të hapur për të gjetur një zgjidhje kompromisi", u shpreh kryesocialisti Rama. Ai bëri të ditur se javën e ardhshme do të ketë një zhvillim intensiv negociatash me përfshirjen e drejtpërdrejtë të të dërguarve të komunitetit ndërkombëtar. Rama nënvizoi se "në këtë fazë kaq të rëndësishme për vendin zgjidhja nuk do të vonojë dhe palët nuk duhet të luajnë e "ka kush e ka" në kushtet kur është vendosur një afat, i cili ka një kuptim ultimativ për t'i dhënë zgjidhje përfundimtare krizës që thellohet për ditë". Sipas tij, zgjidhja përfundimtare është e lidhur me domosdoshmërinë që procesi demokratik në Shqipëri të hyjë në një fazë normale dhe nga ana tjetër proceset e integrimit të vendit të shtyhen përpara dhe të mos kërcënohen nga rrezikut i votimit./s.s./
KOMENTE