Shënim/ Tropojë: Mësuesit Specialistë, Mundësi Për Rritjen E Cilësisë Së Mësimdhënies
TROPOJË, 22 maj /ATSH-R.Hoxha/ - Për vitin e ardhshëm shkollor në rrethin e Tropojës synohet eliminimi i plotë i mësuesve pa arsim përkatës, të paktën në shumicën e shkollave të rrethit.
Sipas burimeve zyrtare të arsimit, kjo do të mundësojë rritjen e cilësisë së mësimdhënies, gjë që është ndjerë edhe gjatë këtij viti shkollor, pas kontrolleve të ushtruara nga specialistët e zyrës arsimore në shkollat e rrethit.
Drejtoresha e Zyrës Arsimore të Rrethit, Sabahete Neza, thotë se "mësues pa arsim përkatës në të gjitha shkollat 9 vjeçare janë kryesisht në shkollat e zonave të thella rurale, veçanërisht mësues të lëndëve të informatikës, të gjuhës së huaj, të biokimisë etj".
"Në kushtet e mungesës së mësuesve specialistë, (kjo) është e vetmja mundësi për zgjidhjen e problemit",- shton ajo.
Një problem tjetër në shkollat e zonës rurale është edhe tendenca e rritjes së numrit të klasave kolektive. Kjo ndodh jo për shkak të normës së re për kuadrin mësimdhënës në arsimin 9 vjeçar, por për shkak të shpopullimit të zonave rurale. Tashmë në këtë rreth klasat kolektive gjenden thuajse në të gjitha shkollat e rrethit, me përjashtim të shkollave të qytetit.
"Për miinimizimin e pasojave negative të këtij fenomeni, me këto klasa punojnë mësues të specializuar e me stazh të gjatë pune",- thotë Neza.
Në rrethin e Tropojës funksionojnë 31 shkolla të arsimit 9 vjeçar dhe 6 shkolla të arsimit të mesëm, ku mësojnë mbi 7200 nxënës./ch/