English

Sport-Çiklizëm/ Besmir Banushi Dhe Tirana Fituesit E Rrethit Të 67-Të Çiklistik

TIRANË, 22 Maj /ATSH-Gjergji Mima/ - Ka përfunduar me etapën e fundit Korçë- Elbasan, rrethi i 67-të çikistik i Shqipërisë, që u fitua nga çiklisti i Tiranës, Besmir Banushi. Ndërsa në renditjen ekipore në krye është renditur skuadra e Tiranës, që ka dominuar këtë rreth. Edhe në etapën e djeshme Korçë - Elbasan ka qenë çiklisti i Tiranës, Redi Halilaj, ai që ka fituar. Në renditjen përfundimtare Banushi ka pasur kohën e përgjithshme, 16 orë, 35 minuta e 25 sekonda. Në vendin e dytë u rendit çiklisti i Apolonis së Fierit, Jonid Toska, me kohën e përgjithshme 16 orë, 49 minuta e 28 sekonda. Ndërsa i treti u rendit Xhehvair Jahaj i Apolonisë me kohën 16 orë, 50 minuta e 50 sekonda. Në renditjen ekipore, pas Tiranës së vendit të parë u renditën Apolonia dhe Teuta. Në rrethin e 67-të çiklistik morën pjesë ekipet e Flamurtarit, Besëlidhjes, Teutës, Apolonisë, Besës, Vllaznisë, Skënderbeut, Burrelit, Tiranës dhe Elbasanit. Edhe këtë sezon, sikurse në edicionet e kaluara të një ndër tureve më të vjetra në Evropë, morën pjesë ekipe të huaja, një ekip gjerman "Profiline", dhe një ekip kosovar. Në ceremoninë përmbyllëse të rrethit të 67-të çiklistik përshëndeti presidenti i Federatës së Çiklizmit, Skënder Anxhaku dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të KOKSH, Hysen Domi. Ndihmesë të madhe për një organizim perfekt të Rrethit të 67-të Çiklistik dhanë Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar si dhe bashkitë ku pedaluan çiklistët, ajo e Tiranës, Elbasanit, Korçës dhe Përmetit./s.s./
KOMENTE