Sport: Futboll - Ekipi Vllaznia U-19 Shpallet Kampion Kombetar
SHKODËR, 22 Maj /ATSH-G. Marku/. - Ekipi i futbollit Vllaznia U-19 u shpall kampion kombetar per sezonin 2009-2010.
Me 63 pikë të grumbulluara, 20 ndeshje të fituara, 3 barazime dhe 3 humbje, me një golavarazh 63-20, është një bilanci pozitiv që ka regjistruar Vllaznia U-19 në këtë sezon futbollistik, duke u shpallur kampion i vendit vetëm 4 javë para mbarimit të kampionatit, me 12 pikë më shumë nga vendi i dytë, qe mbahet nga Teuta e Durrësit.
Në gjirin e skuadres bëjnë pjesë futbollistë cilësorë, që janë pjesë e ekipit të parë të Vllaznisë dhe ekipeve kombëtare U-19 dhe U-21 si, Edon Hasani, Florind Bardulla, Antonio Marku, Armando Vajushi, Amir Tafa etj.
Ceremonia e dorëzimit të Kupës dhe medaljeve për kampionët e rinj të U-19 u organizua nga FSHF në stadiumin "Loro Boriçi" të përshëndetur nga tifozeria shkodrane. Futbollistët shkodranë dhe trajnerët e tyre, Elvis Plori dhe Samuel Nika morën medaljet e kampionit dhe trofeun e kupës nga i deleguari i FSHF, Astrit Maçi dhe presidenti i klubit të futbollit Vllaznia, Valter Fushaj. /a.ke/