English

Sport-Liga E Kampioneve/ Inter Dhe Bajern Vendosin Sonte Në Madrid Kampionen E Evropës

TIRANË, 22 Maj /ATSH-Gjergji Mima/ - Bajerni i Mynihut dhe Interi luajnë sonte finalen e Ligës së Kampioneve, para se emri i njërit prej tyre të futet në histori si fitues i tre kompeticioneve brenda një sezoni. Bajerni dhe Interi luajnë në "Santiago Bernabeu" të Madridit finalen e kompeticionit më të rëndësishëm të klubeve, pasi kanë arritur të fitojnë gjithçka në Gjermani dhe Itali, kampionatin dhe kupën. Bajerni luan finalen e tetë të këtij kompeticioni, ku në të shkuarën është shpallur katër herë kampion i Evropës. Ndërkohë, kjo është finalja e katërt për Interin, i cili është shpallur dy herë kampion i kontinentit. Teknikët e skuadrave, Luis van Gal dhe Zhoze Murinjo kanë karikuar ekipet e tyre për të dhënë më të mirën në këtë takim, që përmbyll edhe sezonin futbollistik në Evropë. Holandezi Van Gal nuk do të ketë në dispozicion francezin Frank Riberi, i pezulluar nga kartoni i kuq i marrë në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Bajernit kundër Lionit. Ndërkohë, Murinjo nuk do të ketë në dispozicion Tiago Motën, edhe ky i pezulluar nga kartoni i kuq i marrë në gjysmëfinalen kundër Barcelonës. Bajern i Mynihut - Inter (20:45) Formacionet e mundshme: Bajern (4-4-2): But; Demikelis, Van Bujten, Badshtuber, Lahm; Van Bomel, Shvajnshtaiger, Altintop, Roben, Olic, Myler. Inter (4-2-1-3): Hulio Sezar; Samuel, Lusio, Maikon, Zaneti; Kambiaso, Stankovic; Shnajder; Pandev, Milito, Eto. /s.s./
KOMENTE