English

Sport-Merkato/ Ekipi I Besës, Përforcime Për Ligën Evropiane

TIRANË, 22 Maj /ATSH-Gjergji Mima/ -.Besa e Kavajës, fituesja e Kupës së Shqipërisë dhe një prej tri skuadrave shqiptare që do të marrë pjesë në edicionin e ardhshëm në Ligën Evropiane (së bashku edhe me Tiranën e Laçin), po përforcon organikën e saj për këtë pjesëmarrje. Besa ka konfirmuar blerjen e mbrojtësit maqedonas Dimitrija Lazarevski., i cili së fundi ka luajtur me Metalurgun e Shkupit. 27 vjeçari Lazarevski, një ish-lojtar edhe i Renovës e Rabotniçkit, por edhe me një aventurë në Belgjikë me Dender, firmosi një vit për verdhezinjtë e presidentit Nexhat Bixhidli. Në fokusin e trajnerit Shpëtim Duro është edhe mbrojtësi kroat, Matko Djarmati, i cili u aktivizua sezonin që sapo u mbyll me Skënderbeun (pjesën e parë) dhe Kastriotin (në pjesën e dytë të edicionit). Ndërkohë, drejtuesit e Besës kanë bërë një tjetër lëvizje në ditët e para të merkatos. Besa ka gjetur akordin me brazilianin e Gramozit, Dos Santos, për ta aktivizuar atë vetëm në ndeshjet e Ligës Evropiane. Braziliani ka rënë dakort që të jetë pjesë e skuadrës kavajase për Kupat e Europës. Mbetet ende të zgjidhet kjo çështje me drejtuesit kolonjarë dhe më pas kjo lëvizje të bëhet e mundur. /s.s./
KOMENTE