English

Takimi Në Strasburg: Rama Kthet Në Shqipëri, Premton Takim Me Gazetarët Të Shtunën

TIRANË, 21 Maj /ATSH/.- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u kthye të premten në mesnatë nga Strasburgu, pa deklaratë për mediat në lidhje me bisedimet ditën e enjte, ku ai dhe kryeministri Sali Berisha ishin të ftuar nga përfaqësues të lartë të KE-së, në një darkë pune në lidhje me ngërçin politik në Shqipëri. Zoti Rama qëndroi para grupit të gazetarëve në aeroportin e Rinasit, vetëm për t'u premtuar një takim ditën e shtunë, ku, sipas tij, do të flasë më konkretisht për darkën në restorantin "Krokodil", në Strasburg. Më herët, në një bisedë telefonike me një televizion shqiptar, Rama u shpreh të premten se darka ishte "një përpjekje për t'i hapur rrugë transparencës." Edhe në intervistën telefonike, zoti Rama nuk foli me hollësi për takimin, duke mos i konsideruar detajet si pjesën më të rëndësishme. Kryeministri Sali Berisha, i cili u kthye nga Strasburgu më herët të premten, e konsideroi darkën si "një nga darkat më të shijshme dhe më të këndshme" të tij. "Kjo nuk ishte një darkë ahengu, por ishte një darkë pune", tha Kryeministri Berisha. Ai theksoi se "të gjitha diskutimet ishin në sintoni me qëndrimet e mëparshme si të Komitetit Presidencial dhe Byrosë Parlamentare të Këshillit të Europës, ashtu edhe me deklaratat e përsëritura të Brukselit". Me ftesë të z. Joseph Doul, Kryetar i Grupit të Partive Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian dhe të z.Martin Schulz, Kryetar i Grupit të Partive Socialiste Europiane në Parlamentin Evropian, Kryeministri Berisha dhe Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, morën pjesë dje në mbrëmje në një darkë pune, në Strasburg, ku u diskutua gjerësisht mbi rrugët dhe mënyrat për t'i dhënë fund ngërçit politik në Shqipëri./ch/
KOMENTE