English

Usaid Nxit Tregtine Rajonale Duke Afruar Biznesin Shqiptar Me Partnere Te Vendeve Fqinje

-Zhvillon punimet në Tiranë Konferenca Rajonale për zhvillimin e SME-ve- TIRANE, 22 Maj /ATSH-E.Xhajanka/- Mbi 70 biznese shqiptare dhe 90 kompani nga Bullgaria, Sllovenia, Rumania, Serbia, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi diskutuan sot në Tiranë për rritjen e bashkëpunimit tregtar mes tyre dhe zhvillimin e SME-ve, si një sektor prioritar që mbështet rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Qëndra për Sipërmarrjen dhe Zhvillimin Ekzekutiv (CEED), që ka veprimtari në 7 vende ballkanike, me mbështetjen e USAID-it, organizoi të shtunën në Hotel "Sheraton", në Tiranë, Konferencën Rajonale të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (SME), ku ishin të pranishëm Kryeministri Sali Berisha, drejtues të projektit të USAID që zbatohen në Shqipëri, të Fondit Shqiptar Amerikan për ndërmarrjet, Fondacionit Kauffman, BERZH, etj. Lektorja e këtij aktiviteti, Karen Wilson, një nga studiueset pranë Fondacionit Kauffman, duke cituar rezultatet e studimeve të saj mbi sipërmarrësit e SME-ve në vendet e Evropës, vlerësoi biznesin shqiptar për arritjet dhe perspektivën optimiste që paraqet, faktor ky, që sipas saj, nxit sipërmarrësit e rajonit për partnershipe të mundshme mes vendeve fqinjë. "Ngjarjet e kohëve të fundit në rajon dhe në botë vënë në pah nevojën urgjente jo vetëm për menaxhimin e buxheteve qeveritare, por edhe nevojën për të mbështetur sipërmarrësit që të ofrojnë produkte dhe shërbime që mund të konkurrojnë në tregjet ndërkombëtare, me rezultat forcimin e ekonomisë vendase dhe rritjes së nivelit të punësimit", u shpreh Drejtori i USAID-it, Sean Huff. Konferenca dhe takimet B2B paraqitën para sipërmarrësve nga vendet fqinjë mundësinë e rritjes së tregtisë dhe investimeve ndërkufitare në industrinë shqiptare. Pjesëmarrësit realizuan takime me bizneset e pranishëm, ndërkohë që në muajt e ardhshëm, USAID do të organizojë takime të tjera B2B për të rritur marrëdhëniet me bizneset për të krijuar marrëveshje midis sipërmarrësve shqiptarë dhe kompanive të huaja. Projektet me financimet e USAID -it mbështesin rritjen ekonomike të Shqipërisë, duke krijuar një mjedis aftësues për zhvillimin e biznesit, duke ofruar shërbime për zhvillimin e biznesit duke punuar me ekspertë vendas dhe të huaj dhe nxitur partneritete të frytshme mes institucioneve publike dhe tyre private./s.s./
KOMENTE