English

Vlore: Dega E Pd Kerkon Transparence Per Te Gjitha Vendimet E Bashkise

VLORE, 22 maj/ATSH-H.Koçi/.- Dega lokale e Partisë Demokratike i kërkoi sot Bashkisë së Vlorës të bëjë transparencën e të gjitha vendimeve që ka marrë. Gjatë një konference për shtyp, kreu lokal i PD dhe njëkohësisht deputet i Qarkut të Vlorës, Ardian Kollozi, tha se ka një mungesë të plotë informacioni për pjesën më të madhe të vendimeve të marra prej administratës bashkiake, veçanërisht ato që lidhen me investimet dhe me dhënien e lejeve të ndërtimit. Në prononcimin e tij, Kollozi veçoi një investim që është në proces në sheshin përpara pallatit të sportit, një prej mjediseve të pakta të gjelbëruara, sipas tij i pacënuar ende, për të cilin nuk është dhënë asnjë informacion për publikun. "Po dëmtohen rëndë interesat e të ardhmes së qytetit dhe të qytetarëve vlonjatë përmes lejeve të panumërta të ndërtimit të dhëna në kundërshtim të hapur me ligjin dhe kriteret urbanistike, për të cilat nuk përgjigjet askush", tha ai. Kollozi evidentoi dëmtimin e parikuperueshëm që po shkaktohet nga lejet e ndërtimit në zonën prej tunelit në Ujë të Ftohtë dhe në vazhdim, ku po ndërtohen godina shumëkatëshe. Kreu lokal i PD-së theksoi se, përmes strukturave përfaqësuese në nivelin lokal të vendimmarrjes dhe mekanizmave ligjorë, do t'u jepet fund këtyre praktikave. /a.ke/
KOMENTE