English

Bërthamore - Irani I Pranon Klauzolat E Marrëveshjes Së Shkëmbimit Të Uraniumit

ANKARA, 23 maj /ATSH-AFP/ - Presidenti iranian Mahmud Ahmadinexhad i bëri të ditur sot kryeministrit turk se vendi i tij i pranon klauzolat e marrëveshjes së shkëmbimit të uraniumit të arritur me Turqinë dhe Brazilin dhe se do ta informojë për këtë Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore. "Do ta informojmë së afërmi IAEA-n. Theksojmë se kjo marrëveshje është një mundësi për të gjithë", deklaroi lideri iranian dje në mbrëmje gjatë një bisede telefonike me Erdogan, njoftoi sot shërbimi i shtypit të Erdogan. Ahmedinexhad u shpreh se sheh në këtë marrëveshje "fillimin e një qasjeje të re dhe të një atmosfere të re" për zgjidhjen e krizës lidhur me programin e tij bërthamor, mësohet nga një komunikatë. Ndërsa Erdogan e këshilloi bashkëbiseduesin se vendi i tij do ta kapë në mënyrën më të mirë të mundshme këtë mundësi të krijuar pas përpjekjeve intensive diplomatike", thuhet në komunikatë. Irani pranoi në parim të hënën, duke rënë dakord me Ankaranë dhe Brazilin, të këmbejë një pjesë të uraniumit të tij pak të pasuruar kundrejt lëndës djegëse bërthamore të pasuruar në masën 20 për qind për reaktorin e tij kërkimor, por Perëndimorët kanë shprehur mosbesim, pasi Uashingtoni vazhdon të jetë i vendosur për të ndëshkuar Iranin. Këshilli i Sigurimit të OKB-së shqyrtoi të martën një projekt të ri sanksionesh që ndëshkojnë Iranin për programin e tij bërthamor. Agjencia zyrtare iraniane, Irna ka bërë të ditur se Teherani do ta informojë të hënën IAEA-n lidhur me marrëveshjen iraniano-turko-braziliane. Disa vende perëndimore e akuzojnë Teheranin se po përpiqet të pajiset me armën bërthamore nën pretekstin e veprimtarive civile, gjë që Republika islamike e përgënjeshtron. /I.Pu.
KOMENTE