English

Durrës: Arrestohet 22-Vjeçari, Plagosi Dhe Grabiti Taksistin

DURRËS, 23 Maj /ATSH-Gëzim Kabashi/.- Forcat e policisë së Durrësit arrestuan sot pasdite një 22-vjeçar nga Shijaku, që dyshohet se grabiti dhe plagosi me armë zjarri drejtuesin e një taksie. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë e Qarkut bënë të ditur për ATSH-në se 22-vjeçari Mikel Shyqja dyshohet të jetë autori i plagosjes së 46-vjeçarit N. S. nga Tirana. Ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22.45 në afërsi të spitalit nr. 2 të Tiranës, kur Shyqja dyshohet se i ka kërkuar shërbimin taksi 46-vjeçarit me autoveturë me targë TR 11 96 J. Pasi ka mbërritur ne Plepa, pranë Durrësit, 22-vjeçari nga Shijaku ka kërkuar të vijojë rrugën drejt Arapajt dhe në një rrugicë të pandriçuar e ka kërcënuar taksistin, duke i kërkuar automjetin. Rezistencës së taksistit nga Tirana 22 vjeçari Shyqja, i është përgjigjur duke qëlluar dy herë në këmbë me pistoletë dhe pasi ka marrë automjetin është larguar duke e lënë të plagosur taksistin. Forcat e policisë që shkuan menjëherë në vendngjarje, pasi shoqëruan në spitalin rajonal të Durrësit 46-vjeçarin që ndodhet jashtë rrezikut për jetën, fillimisht kanë gjetur automjetin e braktisur dhe pistoletën në vendin e quajtur "Katër rrugët" e Shijakut, ndërsa sot kanë arritur të prangosin 22-vjeçarin Shyqja, i cili do të përgjigjet para drejtësisë për veprat penale të plagosjes së rëndë dhe vjedhjes me armë. /s.s./
KOMENTE