Rrëfimi i Leart dhe Orik Shytit për akuzat që i vishen nga shteti. Lexoni sonte mbi akuzën e lidhjeve të “Hakmarrjes” me Dritan Dajtin dhe si përfaljet morën hov gushtin që shkoi kur super i kërkuari vrau në Durrës 4 policë. Lexoni sonte gjithashtu dhe për”... ndihmën e pakursyer të Mero Bazes...”
Tiranë, 23 Maj 2010 NOA – Vëllezërit Leart dhe Orik Shyti, rrëfehen për herë të parë me detaje lidhur me atë që i ndjek nga pas prej afro një dekade e gjysmë, “Hakmarrja Shqiptare për Drejtësi”. Një organizatë kriminale, që qeveria e atëhershme e mazhorancës së presidentit Sali Berisha i cili është sot kryeministër, u akuzua për një seri ngjarjesh të rënda kriminale, aktesh terroriste, vrasjesh e grabitjesh. Orik Shyti dhe vëllai i tij Learti, rrëfehen si asnjëherë tjetër për gjithçka që ka ndodhur në këto afro 15 vjet dhe zbulojnë të pathëna të kësaj periudhe. Tregojnë fillesat e kalvarit që ende vazhdon, dhe detajojnë si ky kalvar, nisi në verën e vitit 1996.
Gjithçka është hedhur në letër dhe që të mos mbetet vetëm për ta, kanë vendosur të nxjerrin një libër. “Ne, Hakmarrja për Drejtësi” dhe...”, është libri që nxjerrin Orik dhe Leart Shyti të cilët jetojnë jashtë Shqipërisë. Libri, i nisur si ide në vitin 2004, është vendosur që të shkruhet më 2009 dhe vetëm këto ditë ka dalë në dritë.
Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA ka marrë të drejtën ekskluzive të publikimit të pjesëve të përzgjedhura nga ky libër i vëllezërve Shyti.
Lexoni sonte ekskluzivisht nga NOA:Rrëfimi i Leart dhe Orik Shytit për akuzat që i vishen nga shteti. Lexoni sonte mbi akuzën e lidhjeve të “Hakmarrjes” me Dritan Dajtin dhe si përfaljet morën hov gushtin që shkoi kur super i kërkuari vrau në Durrës 4 policë. Si Berisha “është përpjekur të na marrë jetën” dhe pohimi i vëllezërve Shyti: Lexoni sonte gjithashtu dhe për”... ndihmën e pakursyer të Mero Bazes...”
***
“Ne, Hakmarrja për Drejtësi” dhe...”, vëllezërit Shyti pohojnë se ia dedikojnë avokatit Dylber Mani, “shokut të babait tonë, që sakrifikoi përgjatë shumë viteve për të ndriçuar të vërtetën dhe mbrojtur të drejtën”.
***
Në hyrje të librit, shpjegohet se që nga muaji tetor i vitit 1996, “Sali Berisha na ka akuzuar pareshtur se kemi krijuar një organizatë kriminale me emrin “Hakmarrja Shqiptare për Drejtësi”. Sipas deklaratave zyrtare të kohës, qëllimi i krijimit të organizatës dhe krimet që kishte kryer e ato që përgatiste të bënte si dhe lidhjet me Partinë Socialiste jo vetëm ishin provuar shkencërisht por vetë të akuzuarit si krerë të organizatës, i kishin pohuar hetuesve se “ashtu si ju kishit ideal përmbysjen e Enver Hoxhës, unë kam, përmbysjen e Sali Berishës’.
Zyrtarisht u tha se qëllimi i “Hakmarrjes...” ishte vrasja e presidentit Sali Berisha dhe shumë krime të tjera.
“Në ditët e para të gushtit 2009, ....në Durrës kishte ndodhur një ngjarje shumë e rëndë. Një person në kërkim kishte vrarë katër policë të forcave speciale. Për më shumë se një dekadë, Berisha e përdori “Hakmarrjen” si sinonim të krimit të organizuar në Shqipëri. Edhe kritikat e institucioneve ndërkombëtare për të luftuar krimin e organizuar, me ndihmën e pakursyer të Mero Bazes, i shfrytëzonte për ta orientuar opinionin që të besonte se fjala ishte për “Hakmarrjen” dhe se vetë problemi ishte ajo. Vonë, kur mediat filluan të artikulonin emra bandash kriminale, filloi një fazë e re. Shpifësit i përqendruan përpjekjet në sajimin e lidhjeve miqësore dhe armiqësore të bandave me “Hakmarrjen”. Ndoshta ngaqë ndiheshim mirë nuk menduam se verishistët do të shpifnin për lidhje të “Hakmarrjes” me ngjarjen e radhës.
Ditën e ngjarjes, më 7 gusht 2009, një televizion shkruante me titra se autori i vrasjes së policëve ishte anëtar i “Hakmarrjes për Drejtësi”. Duke e ditur se atje punonte Z.F (Shënim: NOA censuron emrin e plotë për shkak të etikës), e pamë lajmin si iniciativë e saj.
Në datën 16 Gusht 2009, gazeta “Korrieri” (Shënim i NOA kjo gazetë është mbyllur pa afat, disa javë më parë). Sipas gazetës, nga burime policore ishte dhënë informacioni se autori i ngjarjes, (D.D), (Shënim i NOA: Bëhet fjalë për Dritan Dajtin) lidhej me “Hakmarrjen” nëpërmjet Dritan Hates.
Përvoja na ka mësuar se praktika e krijuar ndiqet verbërisht nga shërbëtorët. Nuk kishte vend për të dyshuar se shpifjet për lidhjet e “Hakmarrjes” me ngjarjen ishin shpërndarë më herët sesa të botoheshin nga “Korrieri”. Edhe në këtë rast, autori i krimit duhet të ishte anëtar i “Hakmarrjes”.
Duke folur në telefon me njëri-tjetrin, u kujtuam për një intrigë të njerëzve që Berisha ka emëruar në poste të rëndësishme në polici, të cilët kanë detyra të veçanta për “Hakmarrjen”.
Me shpresë se me mashtrime do të krijonin shkak për ekstradimin e Altin Arapit, por duke harruar se të tjerët shënojnë, e kishin informuar policinë belge se Altini strehonte një person shumë të kërkuar. Ishte normale që shërbimet e shtetit bleg të bënin detyrën që u takonte. Pas një kohe, ato vërtetuan se informacioni i palës shqiptare nuk ishte i vërtetë. Me këtë rast u mësua edhe shkaku. Nga Tirana kishte shkuar informacioni se i kërkuari D.D. ishte shok i ngushtë i Altinin dhe strehohej prej tij. Në një intervistë për “Gazetën Shqiptare” në fund të vitit 2008, Altini është shprehur afërsisht, se: “jo më larg se para një viti truprojat e Saliut, tani në krye të policisë, dezinformuan autoritetet e këtij vendi se një i arratisur nga burgu ishte shok imi dhe strehohej nga unë”.
Në fund të kapitullit ku flitet për lidhjen që shteti po përpiqej të bënte midis Dritan Dajtit dhe “Hakmarrjes”, vëllezërit Orik dhe Leart Shyti citojnë prononcimin e tyre publikuar tek Agjencia NOA duke shtuar se disa gazeta e botuan atë të nesërmen.
Më poshtë gjendet lajmi i datës 16 Gusht 2009, me titull “Spekulime për Dajtin te "Hakmarrja", flet Orik Shyti: Berisha ka ndryshuar taktikë”:
Spekulimet për Dritan Dajtin te “Hakmarrja”, flet Orik Shyti: Berisha ka ndryshuar taktikë
Tiranë, 16 Gusht NOA - Dyshimet e dala ditët e fundit në mediat e Tiranës lidhur me përfshirjen e aluduar të Dritan Dajtit në atë që cilësohet si "Hakmarrja Shqiptare për Drejtësi", kanë sjellë sot reagimin e Orik Shytit, i konsideruar nga drejtësia shqiptare si kapo i "organizatës", akuzë të cilën kurrë nuk e ka pranuar.
Në një prononcim për agjencinë e lajmeve NOA, Orik Shyti ka folur mbi marrjen në pyetje nga policia të Dritan Hates, i akuzuar si anëtar i "Hakmarrjes", duke aluduar se "Dritan Dajti lidhet me "Hakmarrjen" nëpërmjet Dritan Hates dhe se... (çudirat e këtyre lidhjeve do dalin më vonë)".
Në këtë pikë, Orik Shyti komenton: "Nuk e di se cilët janë miqtë e Dritan Hates, se nuk kam pasur asnjë lloj lidhje me të, në asnjë kohë. Madje, për mungesën e lidhjeve falsifikatorët e procesit kanë krijuar edhe një të çarë më shumë në procesin e manipuluar. Haten e akuzojnë për një krim të vetëm dhe për atë krim nuk akuzohem unë, "koka" e "Hakmarrjes". Pra as Hatja nuk është akuzuar se ka pasur ndonjë lidhje me mua.
Mirëpo, meqë Sali Berisha ka ndryshuar taktikë (ia ka ndaluar shtypit të tij të botojë shpifje për "Hakmarrjen"), shërbëtorët e tij në krye të policisë ua japin ato si "informacion konfidencial" gazetarëve të gazetave të pavarura, të cilët nga naiviteti apo për arsye të tjera, përfshi edhe ato komerciale, i botojnë si të vërteta".
"Pak më herët, - vijon reagimin e tij Orik Shyti, - disa muaj pasi Berisha kishte filluar detyrën e kryeministrit, Haten e arrestuan dhe pasi i dhanë shtypit "fakte" për krimet që kryente në Shqipëri në emër të "Hakmarrjes", deri edhe me urdhra që i merrte nga jashtë shtetit (nënkuptoheshim ne që ishim azilantë), e dënuan me një vit burg". Arsyeja e dënimit: kishte parë armë dhe nuk e kishte pyetur mbajtësin e tyre, kishte apo nuk kishte leje nga policia. Nuk po e banalizoj, por të dënosh një shtetas se nuk ka kallëzuar dikë në polici për mbajtje arme pa leje, do të thotë se shtetasit kanë për detyrë të pyesin i kanë apo nuk i kanë me leje armët ata që i mbajnë".
Orik Shyti kujton edhe faktin se "ditën që ndodhi vrasja e katër policëve në Durrës", një televizion informativ, "me titra shkruante se "Dritan Dajti" është anëtar i "Hakmarrjes për Drejtësi"".
Kurse vijon reagimin e tij duke përmendur se gazetarë të caktuar në vite kanë pasur "për detyrë të "zbulonin" lidhjet e "Hakmarrjes" me Kamorën dhe organizata të tjera kriminale ndërsa Saliu të drejtën e federimit në "Hakmarrje" të cilido që i zinte rrugën".
Duke reaguar edhe mbi këtë fakt, Orik Shyti vlerëson se "informacioni i servirur, ndoshta krijoi terren që të besohen pisllëqet që po shiten dhe tjera që do të shiten më vonë". FUND
***
Duke u ndalur te akuza më e fundit pra ajo e lidhjeve të “Hakmarrjes” me Dritan Dajtin, vëllezërit Shyti, shkruajnë:
“Kjo është shpifja e fundit, por jo fundi i përdorimit të “Hakmarrjes”. Të tjera shpifje do të bëhen. Kjo është e pashmangshme, sepse ajo është krijuar për t’u përdorur dhe shpifjet janë karburanti i vetëm që e vënë në përdorim.
Vetë përdorimin, e kushtëzon qëllimi, i cili synon ta krijojë dhe të ushqejë perceptimin se, “jo vetëm që “Hakmarrja Shqiptare e Drejtësisë” ka ekzistuar dhe është autore e krimeve të kryera para vitit 1996, duke filluar nga 2 prilli i vitit 1991, por është ende vepruese dhe çdo krim i rëndë kryhet me pjesëmarrjen e saj”.
Qëllimi do mbetet i pandryshueshëm, sepse Sali Berisha ka shkuar shumë larg. Na ka përndjekur familjarit pa pushim dhe është përpjekur të na marrë jetën, jo vetëm duke na futur në konflikt me familjet e viktimave dhe me persona të tjerë, që janë akuzuar për krime të rënda; është përpjekur të na bëjë bashkëpunëtorë me persona që akuzohen se kanë kryer krime; është përpjekur të na shtyjë në vetëgjyqësi me qëllim për të varrosur të vërtetën.
Është e vërtetë që deri tani, nuk ia ka dalë të na marrë jetën. Por ai ka të drejtë të ndihet fitimtar se ia doli të na marrë fëmijërinë dhe rininë. Është në të drejtën e tij që të krenohet. Rrjedhojë e bëmave të veta, e ka të vështirë të pranojë krimin që ka kryer ndaj nesh.
Nesër do të lexoni: “Në fillimet e një krimi që vazhdon – kur “Hakmarrja” nisi udhë...”
NOA