English

Elbasan; Shpërthen Depozita E Mazutit, Plagoset Metalurgu I "Kurum International"

ELBASAN, 23 Maj ATSH-Miranda Sadiku/- Një punëtor i firmës turke "Kurum International" është aksidentuar në punë rreth orës 19.00 të mbrëmjes së sotme. Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur për ATSH-në se "shtetasi Pëllumb Halilaj, 55 vjeç, punonjës i firmës turke, mbeti i dëmtuar rëndë gjatë një aksidenti në punë". Ngjarja e rëndë, sipas shefit të komisariatit të policisë së Elbasanit, Sejfulla Metko, ndodhi në vendin e quajtur depozitat e mazutit, në territorin ku ushtron aktivitetin e saj firma turke. Metalurgu ka pësuar djegie të shkallës së lartë si pasojë e një shpërthimi aksidental që ndodhi në një prej depozitave me mazut gjatë kohës që ishte duke punuar aty. Nga ana e policisë janë marrë në pyetje drejtuesit e firmës dhe disa prej dëshmitarëve të kësaj ngjarjeje për të zhardhur rrethanat në të cilat ndodhi incidenti i fundit në këtë firmë, e cila ushtron aktivitetin e saj prej më se një dekade në ambientet e ish- kombinatit metalurgjik. Mësohet se metalurgu Halilaj ka përfunduar në gjendje të rëndë në spitalin kirurgjik të Elbasanit. Ndërsa mjekët konfirmojnë se gjendja e tij është e rëndë, por jashtë rrezikut për jetën./s.s./
KOMENTE