English

Fier: Plazhi I Darëzezës, Pergatitje Per Pushuesit

FIER, 23 Maj /ATSH, Rr.Isufaj / - Plazhi i Darëzesës disa km larg Fierit pritet të ketë sivjet më shumë turistë, pasi drejt tij tashmë veç një infrastrukture më cilësore, ka nisur pastrimi, rrëmimi dhe sistemimi i rërës, ku janë angazhuar përveç mjeteve, edhe banorët. Kryetari i komunës së Ndërmenasit, Fadil Selaci thotë për ATSH-në, se krahas mrekullive natyrore si uji i pastër, rëra kurative, masivët pyjorë me pishën e zezë, kafshët dhe shpendët e egra, pushuesit do të kenë edhe një shërbim më të mirë. Sipas Selacit, të dy pushtetet janë treguar dorëlëshuar duke e zgjidhur "qesen" për investime. "Qeveria financoi për rrugën Fier-Seman, me vlerë rreth 96 milionë, që e lidh me plazhin e Darëzes", thotë ai, duke shtuar se ky investim i rëndësishëm pritet ta shndërrojë bregdetin e Darëzesës në një plazh të preferuar. Sipas Selacit, edhe mjedisi, pastërtia, kushtet dhe shërbimet e ofruara do të sjellin surprizat në plazhin e Darëzesës. "Kemi nisur pastrimin e plazhit nga ndotja, rrëmimin dhe sistemimin e rërës me mjetet dhe punonjësit tanë, familjet që trajtojmë me përkrahje sociale dhe nxënësit e shkollës 9-vjeçare. Kemi montuar koshat për grumbullimin e plehrave dhe shpejt edhe banjot provizore", thotë Selaci. Ai siguron se sivjet janë marë masat për furnizimin me energji elektrike dhe ujë të pijshëm gjatë 24-orëve./n.m/
KOMENTE