Histori/Fier: Urat, Emblema Dalluese E Fierit Ndër Vite
FIER, 23 Maj /ATSH-Rr.Isufaj /- Të 12 urat, që mbartin histori të vjetra dhe realitet të sotëm për Fierin, mbeten emblemat dalluese, që e bëjnë këtë qytet të veçantë duke e renditur të parin në vend, ndërsa numri i shumtë i tyre ka bërë që qyteti të ketë dhe një emër të dytë, "qyteti i urave".
"Urat janë pjesë e gjallë e qytetit, se përtej ftohtësisë së gurit, betonit, hekurit, me të cilat janë ndërtuar, janë pjesë e historisë, folklorit, janë shkrirë në këngë, valle, legjenda e gojëdhëna. Modelet e tyre janë dëshmi vizive e zhvillimeve në kohëra", thotë historiani Ilir Gjika.
Sipas tij, "vetë historia e krijimit të qytetit të Fierit lidhet me urat, sepse i projektuar nga themeluesit në brigjet e lumit Gjanica dhe vetëm një km. larg lumit Seman, ato shërbenin si mënyrë jetike për qytetin dhe rrethinat. Secila prej 12 urave mbart nga një histori më vete, që nis nga shekulli i XVIII-të, deri në ditët tona. Fieri ia dedikon themelimin e tij ndërtimit të urës së vjetër mbi lumin Gjanica".
Historiani Gjika sqaron se, ndërtimi i urës së vjetër që daton në vitin 1777 nga sundimtari i pashallëkut të Beratit Kurt Pasha tek vendi ku ishte ngritur më parë ura e rrugës Egnatia, përbehej prej dy harqesh, nga të cilët njëri i madh dhe i plotë, nën të cilin kalonte lumi dhe tjetri i vogël, që nuk kryente asnjë funksion. Kjo urë kishte gjatësine e urës së sotme dhe një gjerësi 4.5 m, e ndarë në dy sektorë. I pari, me gjerësi 2.5 m, shërbente për kalimin e udhëtarëve dhe qerreve, ndërsa i dyti me gjerësi 1 m, ishte një kanal katërkëndësh që përdorej për kalimin e vijës së ujit, që lidhte dy nga mullinjtë e qytetit: të Kashtës dhe të Pashait.
"Ura që lidhte rrugën Vlorë - Berat mund të ndërtohej rreth 200 m. më poshtë me një kosto më të ulët për shkak të pozicionit, por Kurt Pasha e ndërtoi pikërisht pranë Kishës dhe në rrënojat e urës së vjetër romake për shkak të historisë dhe përshkimeve të shumta", thotë ai.
- Histori për rrugën "Egnatia", ku romakët ndërtuan urën e parë-
Gjatë antikitetit në trevën e Fierit kryqëzohej një rrjet i dendur rrugor, që lidhte qëndrat e banuara me njëra-tjetrën me rrugë të shtruara me kalldrëm dhe të pajisura me gurë miljesh, me stacione për ndërrimin e kuajve dhe bujtina.
Nga qyteti i Apolonisë dilte dega jugore e rrugës Egnatia, që pasi kalonte stacionin e parë të saj AD NOVAS (Fierin) ndahej në dy nën degë. Njëra ndiqte veriun ku kalonte (Semanin) në Mbrostar dhe pasi vazhdonte përgjatë kodrave të Petovës dhe Ardenicës, kalonte në Gradishtë dhe vazhdonte drejt veriut përgjatë pjesës perëndimore të kodrave të Divjakës, kapërcente Shkumbinin dhe bashkohej me degën veriore të Egnatias, që vinte nga Durrësi.
Në vitin 1962 në Mbrostar, që ndodhet në bregun verior të Semanit janë gjetur disa gurë miljorë (shtylla) të kësaj rruge, të cilat dikur shërbenin për t'u treguar udhëtarëve dhe tregtarëve largësinë në milje nga një stacion, në tjetrin.
Njëra shtyllë ndodhet në muzeun arkeologjik të Apolonisë, tjetra në muzeun historik të qytetit të Fierit, kurse e treta ruhet në ambjentet e mullirit të vajit në Manastirin e Ardenicës.
Nga Fieri dilte edhe dega e dytë e degës jugore të rrugës Egnatia. Ajo ndiqte trasenë e rrugës së sotme automobilistike, kalonte drejt Portëzës, Grizë Godolesh (kthesa e Patosit), Roskovecit, Ura e Kuçit ku kalonte lumin Osum, në Karbunarë, Lushnje, Golem, Peqin për t'u bashkuar me aksin verior të Egnatias.
Rruga ishte 6.70 m e gjerë, ku 5.70 m ishin të shtruara me kalldrëm, kurse në të dy anët ndodheshin dy banketa prej 0.50 m. Mbi kalldrëmin ishte hedhur zall me madhësi të mesme dhe mbi të ishte vendosur një shtresë çakëlli i hollë.
Klasifikimi dhe emërtimi i urave
Të dymbëdhjetë urat e qytetit klasifikohen sipas ujërave rrjedhëse mbi të cilat ngrihen si: Urat e Gjanicës, Semanit dhe Vijës së Ngjalës.
"Mbi lumin Gjanicë kanë qënë ngritur 7 ura, fillimisht ura e vjetër. E dyta është e hekurt, 100 m në veri të së parës, u ngrit në vitin 1988 si rrugë këmbësorësh. Eshtë ndërtuar me konstruksion metalik me dy harqe. Vetëm 100 metra në veri të saj ndodhet ura me shkallë, e ngritur në vitin 1935 nga tregtarët fierakë. Quhet kështu sepse për të kaluar mbi të duhet të ngjitesh dhe zbresësh mbi 8 radhë shkallësh.
Inventari i urave mbi lumin Gjanicë vazhdon me atë të Sheqit, që shërben për të përballuar flluksin e qarkullimit të mjeteve dhe njerëzve. Ajo u rindërtua në vitin 1945 pasi në 15 tetor 1944 gjatë tërheqjes ushtritë gjermane e hodhën në ere.
Ura lidh dy lagje të vjera të qytetit, Sheqin e Madh dhe Bishtanakën. Para 11 vjetësh ministria e Mbrojtjes ndërtoi Urën xheniere, që lidh Sheqin e Vogël dhe lagjen Liri, një urë për këmbësorë dhe autovetura.
Në pjesën jugore të qytetit ngrihet ura automobilistike e lagjes"1 Maji", që shërben si unazë dhe lidh akset Fier-Vlorë me akset nacionale Fier-Tiranë e Fier-Berat.
E fundit urë mbi Gjanicë është ura hekurudhore, ndërtuar në vitin 1967, kur u ndërtua hekurudha Lushnje-Fier, që ka më shumë këmbë,(gjashte gjithsej).
-Urat mbi lumin Seman-
Lumi Seman renditet i dyti për numrin e urave që mban mbi krye.
Në veri të lumit Seman në Mbrostar ka një ansambël"urash. Historiani Ilir Gjika tregon se "në qendër ndodhet ura e hekurt një kalimëshe, që u ndërtua nga një shoqëri gjermane në vitin 1934. Në të majtë të saj, ndodhet ura hekurudhore ndërtuar në vitin 1967, kurse në të djathtë, ura e re automobilistike, ndërtuar në fillim të viteve 1980 për të përballuar fluksin e madh të kalimeve në këtë arterie komunikimi".
Ai sqaron se, "dy urat mbi kanalin artificial, Vija e Ngjalës, lidhen me me historinë e bonifikimit në vitet 50-të në rrethin e Fierit, kur u hap kolektori i madh i Myzeqesë së vogël, që niste në fshatin Marinëz dhe derdhej në detin Adriatik, në jug të plazhit të Semanit".
Gjika tregon se," hapja e këtij kanali solli një dukuri të çuditshme. Nga deti Adriatik u futën shumë peshq dhe specie detare, midis të cilave, edhe ngjala. Kështu nisi një veprimtari sa sportive, po aq edhe ekonomike siç ishte gjuetia e ngjalës, kësaj specie të veçantë detare. Kjo gjueti solli edhe toponimin e ri, "Vija e Ngjalës". Meqënëse kanali priste rrugën nacionale Fier-Lushnje u ndërtua një urë, ndërsa në vitin 1967 u ndërtua edhe ura hekurudhore e trasesë Lushnje-Fier"./n.m/