English

Izrael - Manovra Të Mbrojtjes Pasive Kundër Një Sulmi Masiv Me Raketa

JERUSALEM, 23 maj /ATSH-AFP/ - Izraeli filloi sot manovra ushtarake të mbrojtjes pasive për pesë ditë me radhë që parashikojnë veçanërisht mijëra goditje me raketa kundër territorit të saj që nga Siria, Libani, Rripi i Gazës dhe Irani. Në këto manovra të quajtura "Kthesa 4" merr pjesë ushtria, policia, shërbimet e urgjencës, komuna dhe rreth 150 organizma qeveritarë, njoftojnë burime ushtarake. "I gjithë territori kombëtar është përfshirë në to", i deklaroi radios ushtarake zëvendësministri i Mbrojtjes, Mathan Vilnai. Ai shtoi se këto manovra të përvitshme "të planifikuara me kujdes" janë të katërtat e llojit që prej luftës së dytë të Libanit (në verën e vitit 2006). Sipas skenarit të parashikuar, qindra ambulanca, zjarrfikës dhe ushtriapritet të përballen me situatën e krijuar nga atentate të mëdha dhe sulme me raketa, përfshirë predha me mbushje jo konvencionale, kundër qendrave të mëdha urbane të vendit. Këto sulme pritet të ndodhin në të njëjtën kohë me një ofensivë kundër rrjetit të tij informatik dhe të telekomunikacionit. Manovrat do të arrijnë pikën kulminante të mërkurën në orën 11:00 (08:00 GMT) kur sirenat e alarmit të bien për një minutë e gjysmë në të gjithë territorin për t'u bërë thirrje izraelitëve të futen në vendstrehime. Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu u përpoq të zbuste shqetësimet e shkaktuara nga këto manovra në vendet arabe fqinje të Izraelit. "Bëhet fjalë vetëm për një manovër rutinë të planifikuar që prej një kohe të gjatë, që nuk është rezultat i një ngjarjeje të jashtëzakonshme në fushën e sigurisë", deklaroi ai në fillim të seancës së përjavshme të qeverisë, cituar nga radioja publike. Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Ehud Barak, deklaroi "Nuk kemi qëllim të hapim luftë në veri të Izraelit". Kryeministri libanez Saad Hariri i kritikoi të shtunën në Kajro këto manovra duke u shprehur se ato bien në kundërshtim me përpjekjet për paqe në rajon. "Izraeli duhet të shkojë në tavolinën e bisedimeve për arritjen e paqes dhe fillimi në këto çaste i manovrave ushtarake është në kundërshtim me përpjekjet për paqe", deklaroi ai. /I.Pu.
KOMENTE