English

Karnavalet e Korçës, sivjet edhe me pjesëmarrës evropianë

Tiranë, 23 Maj, NOA /Milena Selimi – Për dy ditë me radhë karnavalet do të gjallërojnë qytetin e Korçës, ku në datat 28 dhe 29 maj, sheshet dhe rrugët kryesore të qytetit do të jenë pjesë e një festivali të qeshurash, paradave gazmore dhe këngëve festive. Organizatorët tentojnë të sjellin edhe ngjyra dhe të qeshura evropiane. Pjesëmarrës do të jenë edhe qytete ballkanike dhe evropiane, me traditë në organizimin e tyre, që do t’i japin një shtysë të re këtij aktiviteti tashmë të përvitshëm.

Traditë, vazhdimësi, ngjyra, risi- Kështu i kanë cilësuar organizatorët e festivalit më të madh të vitit karnavalet e sivjetshme që do të kenë përmasa evropiane. Krahas grupeve të të rinjve nga qytete të shumta të vendit, një festival karnavalesk i përmasave evropiane do të sjellë edhe karnavalet nga trevat e Ballkanit.

Tashmë po punohet për dekorin e qytetit, ku janë duke u përgatitur butaforitë e rrugës. Mes tyre, krahas figurave të shumta gazmore dhe komike, do të jenë dhe figurat që përfaqësojnë personazhe të mirënjohur të përrallave dhe tregimeve gazmore ballkanike e evropiane.

Sallat e Pallatit të Kulturës janë kthyer në vendin ku po përqendrohet tharmi i këtij aktiviteti, i cili nis që nga kostumografia, butaforia dhe vazhdon me pjesëmarrësit që këtë vit janë më së shumti grupet e të rinjve.

Organizatorët kanë marrë përsipër të realizojnë një festival të veçantë dhe masiv sipas kërkesave artistike me skenografi, muzikë dhe shumë ngjyra festive. Surprizat e këtij festivali do të jenë të shumta. Karnavalet e Korçës tashmë të festuara prej disa vitesh kanë rikthyer traditën e dikurshme.

Karnavalet e Korçës festivali i madh i të qeshurave në rrugë dhe sheshe organizohet nga Bashkia e qytetit, qendra kulturore “Vangjush Mio”, teatri “Andon Zako Çajupi” dhe Drejtoria Arsimore.

Karnavalet, një festë e bukur dhe plot ngjyra po tenton të kthehet në një aktivitet që kërkon të tërheqë vëmendjen e qytetarëve jo vetëm për të shfaqur një qytet të pasur me tradita, art dhe kulturë, por njëherësh edhe për të afruar investitorë, biznesmenë dhe turistë të ndryshëm në qytetin që Spiro Çomora e quajti me të drejtë në komedinë e tij brilante, “Parisi i vogël”.

m.s/n.e/NOA

KOMENTE