English

Këmbimi Valutor/ Leku Zhvlerësohet Ndaj Dollarit

TIRANE, 23 Maj /ATSH/- Në fund të kësaj jave në tregun e këmbimit valutor të kryeqytetit janë vërejtur ndryshime në vlerat e këmbimit të lekut me monedhat e huaja. Monedha kombëtare, leku është zhvlerësuar kundrejt valutave të forta dhe veçanërisht dollarit. Ndërkohë që monedha amerikane është forcuar edhe kundrejt euros, si pasojë e ecurisë së bursave. Në agjencitë e këmbimit, të dielën dollari blihet me 108.70 lekë dhe shitet me 109.20 lekë, ndërsa euro këmbehet me 136.60 lekë në blerje dhe me 137.10 lekë në shitje. Që në fillim të javës, një dollar u ble mesatarisht me 103.80 lekë dhe u shit me 104.30 lekë, ndërsa një euro u ble me 136 lekë dhe u shit me 136.50 lekë. Ekspertët e fushës vlerësojnë se, zhvleresimi i lekut penalizon të gjithë klientët e bankave që kanë marrë kredi në valutë. Nga ana tjeter, shtrenjtohen importet, çka përkthehet me rritje të çmimeve në treg. Një ndikim i tillë është më i ndjeshëm për euron, pasi roli i dollarit në ekonominë shqiptare është i dobët për shkak edhe të marrëdhënieve të pakta tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me vendet e Bashkimit Europian realizohet 65 për qind e tregtisë./e.xh//n.m/
KOMENTE