Prishtinë, 23 Maj, NOA – Prania e KFOR-it në Kosovë e përkrah fuqishëm, madje është edhe duke e ndihmuar EULEX-in në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Një fakt të tillë e ka bërë me dije komandanti i këtij organizmi ushtarak paqeruajtës, Markus Bentler, i cili ka deklaruar se “ne nuk jemi EULEX-i dhe ai nuk është KFOR, mirëpo kur EULEX-i është në lëvizje në drejtim të vendosjes së rendit dhe të ligjit dhe bën punën që duhet të bëjë, KFOR-i ka për ta përkrahur dhe do ta përkrahë me të gjitha mundësitë që ka.
Ndërkaq, burime brenda KFOR-it kanë bërë të ditur gjithashtu se ai është duke e ndihmuar prokurorinë e EULEX-it edhe me informacione për hetimet kundër korrupsionit, të mbledhura këto nga inteligjenca e KFOR-it për rastin Limaj.
Por komandanti i KFOR-it, Bentler, ka refuzuar të tregojë se çfarë ndihme konkrete është duke i dhënë EULEX-it, sepse këtë e ka quajtur çështje operacionale.
“E di që jeni të interesuar, por ky është një detaj operacional, por të jeni të sigurt se bashkëpunimi në mes të EULEX-it dhe KFOR-it është shumë i ngushtë dhe produktiv”, është shprehur ai.
Duke folur për aksionet e bastisjeve të EULEX-it në Ministrinë e Transportit, Postës dhe Telekomunikacionit dhe në prona të zyrtarëve të kësaj ministrie, Bentler është shprehur i sigurt se EULEX-i ka marrë një vendim të mençur, duke shfaqur bindjen se aksione të tilla do të vazhdojnë. n.e/NOA